Kush është këshilltarja shqiptare në kabinetin e presidentes Kroate

Advertisment

Shqiptarja e vetme në kabinetin e presidencës kroate Gentiana Fana ka folur për politikën shqiptare dhe për pozitën e saj në raport me vendet evropiane. Fana, që tash e një kohë këshillon presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviq, ka treguar se a do të jetë e gatshme në të ardhmen të shërbejë si politikane edhe në Kosovë.

26-vjeçarja shqiptarja me prejardhje nga komuna e Drenasit, Gentiana Fana, shërben qe disa vite si këshilltare për të rinjtë në presidencën kroate. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Fana ka treguar se si ka arritur ta marrë pozitën e këshilltares së presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviq. Ajo ka folur për angazhimet e saj në Kroaci, për ambiciet e saj për të ardhmen dhe për mundësinë që ajo të shërbejë si politikane në Kosovë.

Reklame

Ndër të tjera Fana ka përmendur edhe ngjashmëritë e dallimet mes kulturës shqiptare dhe asaj kroate. Mirëpo pavarësisht suksesit të saj atje, ajo është shprehur e shqetësuar për politikën shqiptare për korrupsionin dhe për sfidat tjera me të cilat po përballet Kosova. Sipas saj, as diplomacia kosovare nuk është në nivelin e duhur duke aluduar se në krye të saj qëndrojnë persona, të cilët nuk janë kompetentë.

“Sa i përket raportit me vendet tjera evropiane Kosova ka shumë shtete mike e partnere. Mirëpo diplomacia e Kosovës nuk është më e fuqishme si dikur dhe duhet të angazhojmë ekspertë, të cilët kanë dijeni për diplomaci e jo të angazhojmë figura sa për t’i mbushur karriget”, ka thënë Fana për “Zërin”.

Si u bë që një kosovare të shërbejë në presidencën kroate?

Cili është shkollimi juaj dhe si keni arritur të bëheni këshilltare e presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviq?

Fana: Kam përfunduar Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit. Gjatë studimeve isha shumë e angazhuar dhe merrja pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare duke përfaqësuar Kroacinë. Meqenëse isha shumë aktive puna ime u pa edhe nga këshilltarët e presidentes, të cilët edhe më kontaktuan. Për mua ishte e pabesueshme dhe më duket që asnjëherë nuk do ta harrojë ditën kur kryetarja kroate më shpalli si anëtare të kabinetit të saj.

Si është të jesh këshilltare e një presidenteje kroate, a ka shumë angazhime?

Fana: Kryetarja është shumë aktive, andaj dhe ka plot angazhime. Është kryetarja e parë, e cila për një kohë të shkurtër e ka vendosur zyrën e saj në vende të ndryshme të Kroacisë, me qëllim që të jetë më afër popullit. Vetëm në vitin 2018 kryetarja ka vizituar më shumë se 22 shkolla! Pavarësisht angazhimeve të shumta është vërtet kënaqësi të punohet me të, pasi është e drejtë, por edhe jashtëzakonisht e suksesshme e inteligjente. Nuk e di se sa e dini, por Kolinda Grabar Kitaroviq është gruaja e parë ministre e Punëve të Jashtme, grua e parë asistente e sekretarit të NATO-s dhe grua e parë presidente në Kroaci.

Diplomacia kosovare e dobët, diplomatët sa për t’i mbushur karriget

Si e shihni politikën kosovare dhe ku qëndron Kosova sipas jush në raport me vendet tjera evropiane?

Fana: Është vështirë të them në disa rreshta si e shoh politikën kosovare, pasi kam shumë kritika. Problemi i parë është analfabetizmi politik me të cilin nuk po ballafaqohet vetëm Kosova, por e gjithë bota. Mirëpo në Kosovë është problemi që analfabetizmi politik ekziston tek elitat politike dhe në institucione vendimmarrëse. Pastaj është edhe problemi i korrupsionit, i cili më duket se nuk ka të ndalur. Është e pabesueshme që elitat politike e fëmijët e tyre jetojnë një jetë luksoze, ndërsa në të njëjtën kohë ka njerëz të cilët punojnë për 100 euro në muaj. Gjithashtu, më duket që elitat politike e kanë humbur lidhjen me popullin dhe nuk i kuptojnë brengat me të cilat ballafaqohen. Sa i përket raportit me vendet tjera evropiane Kosova ka shumë shtete mike e partnere. Mirëpo diplomacia e Kosovës nuk është më e fuqishme si dikur dhe duhet të angazhojmë ekspertë, të cilët kanë dijeni për diplomaci e jo të angazhojmë figura sa për t’i mbushur karriget.

A keni ambicie që në të ardhmen të shërbeni në Kosovë si politikane?

Fana: Edhe pse e dua Kosovën shumë dhe mundohem të vij sa më shpesh ende nuk e shoh veten si politikane në Kosovë, pasi më duket se nuk do të isha e pavarur nga interesat politike të të tjerëve. Në qoftë se do të kthehem në Kosovë një ditë, atëherë dua të punoj për të mirën e popullit tim e jo për interesat e dikujt tjetër.

Kosovarët në Kroaci, prej bukëpjekës e deri në njerëz të avancuar

Si është situata me komunitetin shqiptar në Kroaci dhe a ka përfshirje të të rinjve shqiptarë nëpër institucionet vendimmarrëse atje?

Fana: Në Kroaci jetojnë rreth 18 mijë shqiptarë, por për fat të keq ende nuk kemi shqiptarë nëpër institucione vendimmarrëse. E kemi deputeten në Parlamentin e Kroacisë, e cila përfaqëson pesë pakica duke përfshirë edhe pakicën shqiptare dhe e kemi deputetin në qytetin e Zagrebit. Falë Ligjit kushtetues për Pakicat Kombëtare e kemi edhe Këshillin e Pakicës Shqiptare në Zagreb, ku jam nënkryetare. Këshilli përbëhet nga 25 shqiptarë dhe qëndron si trup këshillor i qytetit të Zagrebit në këtë rast. Vetëm në këtë Këshill kemi 8 mjeke. Më vjen keq që nuk kemi më shumë shqiptarë të angazhuar në institucione të ndryshme, por shqiptarët në Kroaci me aktivitetet e ndryshme po i thyejnë paragjykimet të cilat ekzistonin deri më tani.

Si perceptohen shqiptaret nga kroatët?

Fana: Para disa dekadave kosovarët u perceptuan si bukëpjekës, argjendarë dhe pronarë të restoranteve e të ëmbëltoreve. Ky perceptim ka ndryshuar dhe tani kroatët i shohin kosovarët e edukuar dhe të suksesshëm. Me vite Kroacia e konsideron Kosovën si shtet mik dhe kosovarët si vëllezër. Një nga arsyet për këtë perceptim është numri i madh i dëshmorëve shqiptarë në luftën e Kroacisë dhe këtë kroatët nuk e harrojnë asnjëherë.

A ka ngjashmëri kulturore mes kroatëve dhe kosovarëve?

Fana: Kultura e kroatëve dhe e kosovarëve nuk ka aq shumë ngjashmëri. Në disa aspekte jemi mjaft të ngjashëm siç janë historia dhe arti, ndërsa në aspektin e traditave dhe të jetës jemi mjaft të ndryshëm. Me duket se dallimi më i madh është në aspektin e jetës familjare dhe private, për shkak të traditave të ndryshme.

Edukimi dhe durimi janë çelësi i suksesit

Cila është ëndrra jote për të ardhmen?

Fana: Në aspektin e karrierës, ëndrra ime është diplomacia dhe ndoshta në të ardhmen t’i edukoj gjeneratat e reja në Fakultetin e Shkencave Politike. Sa i përket aspektit privat, ëndrrat kam dëshirë t’i mbaj sekret.

Cili është hobi juaj?

Fana: Hobi im janë filmat dhe leximi. Jam fanse e madhe e filmave të vjetër, siç janë “It’s a Wonderful Life” ose “Casablanca”. Ndërsa kurdo që gjej kohë mundohem të lexoj. Zakonisht lexoj në gjuhën angleze dhe momentalisht jam duke lexuar veprat e shkrimtarit amerikan F. Scott Fitzgerald.

Çfarë porosie do t’u jepni të rinjve shqiptarë në Kosovë, por edhe më gjerë?

Fana: Të mos ndalen asnjëherë dhe të edukohen sa më shumë. Suksesi nuk arrihet lehtë dhe duhet shumë durim. Gjithashtu mos e krahasoni asnjëherë suksesin tuaj me suksesin e dikujt tjetër!