“Kush është kryeministri shqiptar?”, vendoset billbord “pa figurë” para qeverisë

Përballë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është vendosur një billbord me mbishkrimin “3 opsione – Kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm?”.
Në të njëjtën duken fytyrat e dy kandidatëve për mandatar, kreut të LSDM-së Zoran Zaev dhe atij të VMRO-DPMNE-së Hritijan Micskoski, ndërsa në mes qëndron hapësirë e zbrazët në formë portreti.

Para këtij billbordi konferencë për media sot mbajti Izet Mexhiti, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili tha se në të kaluarën gjithnjë është marrë si fakt i kryer se Kryeministri duhet të jetë kandidat ose i LSDM-së ose i VMRO-DPMNE-së, por kësaj here, për herë të parë në histori, është ndryshe.

Reklame

“Këtë herë, qytetarët kanë garë treshe dhe tre mundësi: Dy kandidatët maqedonas nga partitë maqedonase të cilët janë sprovuar në të kaluarën, ose – për herë të parë në histori të votojnë një kandidat shqiptar për Kryeministrin e parë shqiptar të këtij vendi, një Kryeministër që nuk përfaqëson vetëm një parti maqedonase, por një Kryeministër, i cili do të përfaqësojnë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se cilës etni përkasin” tha Mexhiti.

Nënkryetari integrist po ashtu shtoi se monopoli maqedonas politiko-etnik mbi pushtetin ka mbaruar dhe se kur flitet për “një shoqëri për të gjithë”, është koha për një ndarje të barabartë të pushtetit. Ai tha se në politikën e Maqedoninë së Veriut, vota shqiptare ka qenë gjithmonë vendimtare.

“Në zgjedhjet e fundit, në vitin 2016, ishim ne shqiptarët, ata që sollëm ndryshimin, që e bënë Zaev Kryeministër, edhe qytetarët me votën e tyre kishin vendosur ndryshe dhe ai doli vetëm i dyti me vota, ndërsa ne vendosëm kush do të jetë Kryeministër. Këtë herë, vota shqiptare do të jetë përsëri vendimtare. Por këtë herë, ne shqiptarët do të mbështesim kandidatin tonë, Kryeministrin tonë shqiptar. Ky është hapi i radhës i barazisë, ky është niveli tjetër i demokracisë në Maqedoninë e Veriut” pohoi Mexhiti.

Shtoi po ashtu se pushteti nuk i përket më vetëm bllokut bardh e zi edhe etnikisht të pastër maqedonas dhe se janë qytetarët ata që do të vendosin. Sipas tij, për Kryeministrin e parë shqiptar nuk do të votojnë vetëm shqiptarët por edhe maqedonasit dhe etnitë tjera./TV21