Kush mbështet Rusinë, nuk hyn në BE

Bashkimi Europian ka vërejtje serioze për Serbinë, por edhe për shtete të tjera të rajonit të cilat nuk kanë mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Brukseli thotë se vendimet e ardhshme në procesin e zgjerimit do të kushtëzohen me sjelljen e këtyre shteteve ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe deklaratave të përgjithshme ndaj luftës në Ukrainë.
Serbia është i vetmi shtet i rajonit i cili nuk është përshtatur me qëndrimet e BE-së dhe nuk i ka vendosur sanksione Moskës.

“BE-ja, apo më saktësisht vendet anëtare, në të ardhmen gjatë vendimeve që kanë të bëjnë me vendet përkatëse do të marrin parasysh nivelin e përshtatjes me qëndrimet e bllokut europian, deklaratat dhe solidaritetin e dëshmuar nga këto shtete për të mbrojtur dhe promovuar vlerat themelore të BE-së.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë përshtatur deri më tani plotësisht me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme. Ne presim dhe në këtë drejtim jemi angazhuar me vendet anëtare dhe partnerët në rajon, që t’ua shpjegojmë se sa është e rëndësishme në këto rrethana kur është rrezikuar rendi botëror i bazuar në ligje dhe rregulla, të mbështesin BE-në dhe të kenë qëndrimin e njëjtë me ne rreth sanksioneve”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Përveç Serbisë, edhe Turqia si vend kandidat nuk ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Por, negociatat e anëtarësimit me Turqinë edhe ashtu janë të ngrira, ndërkohë që ato me Serbinë janë në vazhdim e sipër.
Beogradi, sipas burimeve diplomatike në Bruksel të cituara nga REL, tani do të jetë nën presion më të madh për të mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.
Burime diplomatike thonë se tani, nuk do të ketë më mirëkuptim për qëndrimet që shkojnë kundër orientimit strategjik për anëtarësim në BE.

Top Channel