Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1991 dhe elementi diskriminues për shqiptarët

Advertisment

Se Kushtetuta e vitit 1991, ishte gjeneratori kryesor i krizave në Maqedoni, sidomos i konflikteve ndëretnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve, është realitet i pamohueshëm, pavarësisht se një pjesë e madhe e politikanëve dhe etnitetit maqedonas, ende këtë realitet nuk e konsiderojnë si të tillë. Kjo Kushtetutë u miratua pikërisht në kohën kur shqiptarët shpresonin se në kushtet e pluralizmit politik dhe të demokracisë, ka ardhur momenti kur me lehtësi do i realizojnë të drejtat e tyre përmes kërkesave që ishin edhe pjesë programore e partive shqiptare të cilat përmes zgjedhjeve të para demokratike, përfaqësoheshin në Parlamentin e Maqedonisë.

Kushtetuta e re e Reoublikës së Maqedonisë që pas debateve të pa suksesshme mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si në seanca të komisioneve të veçanta, ashtu edhe në debate plenare, u miratua me 17 nëntor të vitit 1991. Shpërfillja politike e fjalës së shqiptarëve gjatë debateve përmes amandamenteve të tyre, çoi deri te mbivotimi i tyre dhe në këtë mënyrë, në vend të avansimit të shqiptarëve , pozita e tyre u kthye mbrapa, madje duke ia suprimuar edhe të drejtat e trashëguara. Kjo Kushtetutë ishte e ndërtuar sipas frymës së viteve 80-ta, të periudhës që shënonte variantin më të pashpresë ku shqiptarët prej hisenikut të paevitueshëm, u shndërruan në problem politik dhe ekonomik.

Reklame

Mënyra e këtillë e miratimit të një kushtetute që mëtonte të jetë bazë e themelimit të shtetit të ri demokratik, jo që nuk të ishte e atillë, por përkundrazi ishte paralajmëruese se shqiptarët në të ardhmen do i përdorin të gjitha mjetet për ta rrëzuar këtë burim krize, gjë që u bë edhe realitet në vitin 2001. Pas miratimit të kësaj Kushtetute, duke i injoruar në mënyrën më brutale kërkesat e deputetëve shqiptarë, pala maqedonase kërkesës së vazhdueshme për të drejtat e shqiptarëve u përgjigjej me arsyetimin se Kushtetuta aktuale nuk e mundëson një gjë të këtillë.

Është e njohur deklarata e Kryetarit të parë të Parlmentit të Maqedonisë, Stojan Andovit, se këto të drejta mund të fitohen vetëm me lu ftë. Kjo deklaratë e tij, shikuar nga këndvështrimi i sotëm del si reale dhe largpamëse. Edhe pse ai deklaroi kësisoi, as që kishte menduar se edhe mund të ndodhte një gjë e tillë. Për këtë Kushtetutë, si gjenerator krize, që e ndali rrugëtimin drejt demokracisë, u shpreh edhe Arbën Xhaferi, kur po zbërthente fenomenin e identifikimit të qytetarit me shtetin dhe etninë. Kjo Kushtetutë, sipas tij, jo vetëm që nuk e pranoi frymën e barazisë, por në fakt e thelloi krizën, ngaqë nuk i pranoi vlerat e sistemeve evropiane. Në analizën që ai i bën kësaj Kushtetute dhe pasojave të mundshme nga ky segregacion ,,që vinte ndesh jo vetëm me standardet e formacioneve evropjane shoqërore, por edhe me kategorinë e të drejtave të trashëguara të shqiptarëve”, vjen te këto përfundime:

-Një Kushtetutë e këtillë, pas analizave krahasimore që dëshmonin margjinalizimin ekstrem të shqiptarëve në sistem, filloi të prodhojë krizën.
-Kjo Kushtetutë ishte ekzemplar paradigmatik i diskrepancës ndërmjet përbërjes etnike të shoqërisë së formës politike.
-Kushtetuta e vitit 1991, Kushtetuta e periudhës demokratike e Maqedonisë, jo vetëm që nuk e pranoi frymën e barazisë, por në fakt e thelloi krizën ngaqë nuk i pranoi vlerat e sistemeve demokratike evropjane.

Këto konstatime të Arbën Xhaferit ishin të bazuara në teoritë filozofike të mendimit politik të tij, bazuar në veprimin praktik të shumicës parlamentare që mendon se ka të drejtë të nëpërkëmbë e të mospërfillë kërkesat legjitime të deputetëve shqiptarë. Duke vlerësuar se ,,kjo psikologji posesive ndikoi që Kushtetuta të përceptohet dhe trajtohet si një thesar ku mund t’i merret gjithçka tjetrit, ai edhe njëherë ia përkujtoi klasës politike maqedonase se veprime të këtilla mospërfillëse çojnë drejt konflikteve ndëretnike, prandaj ndërrimi i kësaj Kushtetute sa më parë që të jet e mundshme, do ktrijojë klimë më të përshtatshme politike që duhet të përmbyllet me konsesnsus.

Konsenzusi mes dy komuniteteve më të mëdha të përfaqësuar përmes deputetëve në parlament do ishte zgjidhje afatgjate dhe do e pamundësonte konfliktin që mund të radikalizohej deri në nivel lu fte. Kjo tendencë e shumicës maqedonase që përmes kushtetutës t’i disiplinojë shqiptarët që kërkesat e tyre t’i kufizojnë vetëm në nivel që lejon kjo Kushtetutë, vetëm sa e zgjati përgjumjen e një politike antishqiptare në Maqedoni, e assesi ta ta mbyll problemin sipas kutit të tyre.

Kjo ofertë politike jashta korrnizave të modelit demokratik e sterzgjati pazarin joparimor mes shqiptarëve që vetëm kërkonin dhe maqedonasëve që u përgjigjeshin se vetëm kaq u takon sepse kushtetuta nuk lejon më tepër, edhe pse kërkesat e shqiptarëve ishin të drejperdrejta, konkkrete dhe të arsyeshme. Nuk ka dyshim se për një gjendje të këtillë, fajtorë kryesorë janë shteti maqedonas dhe Kushtetuta e Maqedonisë e cila u soll pa votën e deputetëve shqiptarë dhe pa vullnetin politik tëtyre, megjithate, nuk duhet harruar edhe faktin se në masë të madhe ka munguar edhe sensi i partisë politike shqiptare, pjesëmarrëse në qeveri.

Edhe gjatë periudhës kur në Maqedoni vepronin vetëm dy parti shqiptare, ajo e PPD-ës dhe PDP-ës, ekzistonin dallime mes tyre përsa i përket kërkesës së realizimit të të drejtave të shqiptarëve. PDP angazhohej për realizimin e të drejtës për vetvendosje të popullit shqiptar në hapësirat e Ish Jugosllavisë, si e drejtë e patjetërsuar natyrore që i takon çdo populli. Për ndryshimin e kësaj Kushtetute u ndërmor një hap më serioz, pas Referendumit të shqiptarëve për Autonomi Politike Territoriale, kur dy partitë aktuale shqiptare morën një nismë për ndryshimin e saj.

Në dokumentin e kërkesës për këtë qëllim u theksua nevoja e ndryshimeve në Kushtetutë sepse ky shtet ishte heterogjen në shumë aspekte, siç është ai nacional, konfencional, dhuhësor, kulturor tj., dhe si i tillë nuk i përgjigjet kësaj Kushtetute. Edhe kjo kërkesë, si hap serioz dhe në pajtueshmëri të plotë me partitë shqiptare nuk u përfill fare nga pala mqedonase dhe kështu vazhdoi thellimi i krizës ndëretnike, ndërsa kjo iniciativë mbeti vetëm një dëshirë e parelizuar deri në kohën kur këto kërkesa u radikalizuan në konflit të ar matosur.

Ky propozim i inicua nga dy udhëheqësitë e dy partive politike shqiptare, PPD dhe PDP, dhe Grupit parlamentar, më 3 Maj 1992. Dokumenti mban vulat e dy partive politike shqiptare. Me Këtë propozim shqiptarët e Maqedonisë përmes procedurës parlamentare, kërkonin ndërrimin e karakterit nacional të Maqedonisë, me çka do barazohej pabarazia institucionale e të gjitha nacionaliteteve që jetonin në këtë shtet të posaformuar. Kërkesa bazë e këtij dokumenti ishte kërkesa për Parlament dydhomësh, mehanizëm ky që do mundësonte barazi për të gjithë, duke eliminuar mbivotimin e pakicës ose shumicës më të vogël, siç ishin shqiptarët, nga shumica maqedonase.

Dr Flakron Bexheti
(Shkëputur nga punimi i doktoratës sime “Konceptet politike filozofike të Arbën Xhaferit në shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut” Kapitulli i I-rê : ORGANIZIMI POLITIK I SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË SË VERIUT, NEVOJË DHE DOMOSDOSHMËRI