Ky është reagimi i Albin Kurtit pasi Kushtetuesja pezulloi dekretin e Thaçit

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta pezullojë deri më 29 maj dekretin e presidentit Hashim Thaçi për çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Kurti, përmes një komunikate për media, ka thënë se Qeveria vlerëson aprovimin e kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për pezullimin e dekretit të Presidentit.

Por, sipas tij, ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës dhe nuk duhet entuziazmuar.

“Është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, ka thënë Kurti.

Reagimi i plotë i tij:

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen në emër të Qeverisë në lidhje me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit Nr. 24/2020 të datës 30.04.2020.

Qeveria mbështeti kërkesën e deputetëve për vendosjen e masës së përkohshme dhe vlerësoi vendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës së tyre për pezullimin e dekretit të Presidentit, sepse parashtruesit kanë dorëzuar një kërkesë e cila është prima facie e pranueshme si dhe është substancialisht e arsyetuar rreth pretendimeve përkitazi me dispozitat kushtetuese të saktësuara në kërkesë.

Qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë. Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19.

Bashkëngjitur gjeni përgjigjen e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit Nr. 24/2020 të datës 30.04.2020.