Ky test mund të na lirojë nga karantina, tregon imunitetin ndaj koronavirusit

Teksa pandemia e koronavirusit ka goditur botën, shkencëtarët po punojnë për një testim të shpejtë bazuar mbi antikorpet, i cili premton se mund të tregojë në pak minuta në qoftë se personi i testuar është apo ka qenë i infektuar me koronavirus dhe nëse ka zhvilluar një imunitet ndaj COVID-19.

Një testim i tillë, do t’i lejonte të imunizuarve të riktheheshin në vendet e tyre të punës dhe të rinisnin jetën normalisht.

Në Britaninë e Madhe institucionet do të qartësojnë këtë javë kriteret e aprovimit të kompanive që po propozojnë një test të tillë, ndërkohë që Qeveria ka deklaruar se do të blinte rreth 17 milionë teste në rast miratimi.

Brigette Bard, drejtuese e kompanisë BioSure, u shpreh se ende nuk është kryer një provë zyrtare e testit të tyre, pikërisht për shkak të mungesës së kritereve të miratimit.

Sido që të jetë është tashmë e qartë që lufta afatgjatë kundër COVID-19 fitohet vetëm me krijimin e antikorpeve.

“Në koronaviruse të tjera, si gripi, njëherë që personi krijon antikorpet, merr një imunitet natyral ndaj virusit. Kjo nuk është ene provuar tek COVID-19, por unë do të habitesha shumë sikur mos të ndodhte e njëjta gjë”, pohon Doris-Ann Williams, kreu i Shoqatës Britanike së Diagnostikimit në Vitro

Testimi i zhvilluar nga kompani si BioSure është i thjeshtë, falë gjakut të marrë nga një pickim në gishtin e dorës, dhe mund të kryhet në shtëpi. Rezultatet mund të lexohen edhe nga vetë personi i testuar, pa shkuar në një strukturë të specializuar.

“Duam të dimë se sa është pragu i saktësisë që entet rregullatore do të vendosin për këto testime”, thekson Brigette Bard, që shton se qartësimi i kritereve do të mundësonte pothuajse menjëherë prodhimin e përreth 1 milion testimeve në muaj./Opinion.al