LAJMI I FUNDIT: Nuk hapen xhamitë as në ditët e fundit të Ramazanit në Kosovë

Advertisment

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka njoftuar se xhamitë në Kosovë nuk do të hapen as në ditët e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Ai në një konferencë për media bashkë me Ministrin në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se akoma nuk janë krijuar kushtet për hapjen e xhamive, duke marrë parasysh se rastet me Covid-19 janë shtuar ditëve të fundit.

Reklame

“Bashkësia Islame e Kosovës e kishte mbledhjen e radhës ku u diskutua rreth mundësive dhe hapat e mëtutjeshëm në hapjen e xhamive tona, në veçanti gjatë këtyre ditëve të fundit të muajit të Ramazanit. Pas një diskutimi dhe një konsultimi edhe me ministrin Arben Vitia rezultoi se përhapja e virusit në veçanti në 4-5 ditët e fundit ka rënduar situatën, prandaj edhe nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme që këto ditë të kemi mundësi të hapim xhamitë tona, shtëpitë e Zotit ku ne do të kishim krijuar ibadetet dhe adhurimet tona karshi krijuesit absolut të kësaj gjithësie”.

Ai ka kërkuar mirëkuptim nga të gjithë qytetarët për këtë vendim të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Dëshiroj që të më kuptoni edhe mua si myfti, dhe Kryesinë e BIK-ut siç e keni kuptuar deri tash, të bashkëpunoni me të dhe të respektoni të gjitha direktivat që vijnë nga Kryesia e BIK-ut në raport me ecuritë e mëtutjeshme, një mendim tejet pozitiv në luftën kundër kësaj sëmundje vdekjeprurëse e cila e ka kapluar globin. Vazhdoni me ibadetet dhe adhurimet tuaja, në veçanti në këto ditë që kanë mbetur nga ky muaj i shenjtë”.

Myftiu i Kosovës ka thënë se BIK-u nuk e kishte aspak të lehtë që ta merrte vendimin për pezullimin e xhamive, veçanërisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Kemi qenë të detyruar ta marrim këtë hap me qëllimin e vetëm që ta ruajmë shëndetin e të gjithë neve që jetojmë në këtë nënqiell ku i madhi Zot xheleshanahu na ka krijuar. Tash kur jemi në përfundim të muajit të shenjtë të bekuar të Ramazanit dëshiroj t’iu informoj se BIK ka qenë në vazhdimësi në kontakt në koordinimin e punëve edhe me Ministrinë e Shëndetësisë”.

Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët për mirëkuptimin e vazhdueshëm që kanë pasë për të gjitha rekomandimet, vendimet, sugjerimet dhe këshillat që kanë ardhë nga të gjitha institucionet e vendit.