Lajmi i fundit: Vjen rezultati për të dyshuarën me koronavirus

Advertisment

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka treguar se pacientja e shtrirë në Klinikën Infektive, me dyshimet se mund të ishte e prekur nga koronavirusi, nuk është prekur nga sëmundja që origjinën e ka nga Kina. Sipas mjekëve, asaj i janë bërë analizat menjëherë, dhe rezultati ka dalë negativ.

Lajmin e ka bërë të ditur mjeku Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK).

Reklame

Edhe Lendita Berisha, drejtoreshë e Klinikes Infektive, e ka konfirmuar lajmin.

Sipas mjekëve të QKUK’së, pacientja është shtetase e huaj, e cila punon në Kosovë.

Mjekët kanë bërë të ditur se pacientja, pasi i është shfaqur një kollë, ka shkuar në spital për t’u kontrolluar.

Ajo kishte qëndruar në një qendër për ski jashtë Kosovës, ku ka mësuar se disa persona ishin dyshuar se janë prekur nga koronavirusi.

“Bëhet fjalë për një shtetase të huaj në Kosovë, që ka qëndruar në një qendër skijimi me pesë të dyshuar të tjerë që dyshohet se janë infektuar me koronavirus”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ndërkohë, numri i viktimave në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit është rritur në 723, njoftoi Komisioni Kombëtar Shëndetësor i vendit (NHC).

Autoritetet njoftuan se deri më tani janë konfirmuar 34 546 raste, ndërsa 86 persona kanë vdekur dhe më shumë se 3000 raste të reja janë zbuluar gjatë 24-orëve të fundit.

Numri i personave nën vëzhgim mjekësor është rritur në 185 555, ndërsa numri i atyre që dyshohet se janë të infektuar është 27 657.

Gjithashtu numri i personave të infektuar jashtë territorit kryesor të Kinës ka arritur në 26 në Hong Kong dhe 10 në Makau.

Thuhet se virusi është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët e natës.

Përveç se në Kinë, virusi është përhapur në më shumë se 20 vende, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.

Shumë vende kanë evakuuar qytetarët e tyre nga Ëuhan-i, epiqendra e virusit dhe zona të tjera të prekura të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur epideminë emergjencë ndërkombëtare.