Laramania e partive shqiptare në Maqedoni, me një këmbë në pushtet e tjetrën në opozitë

Advertisment

Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoni nuk duhet ta humbin durimin dhe të dëshpërohen nëse partitë e ashtuquajtura opozitare nuk bashkohen, sepse jo të gjitha këto parti janë në opozitë, por të njëjtat kërkojnë hise më të madhe në pushtet. Shqiptarët në Maqedoni duhet të bashkohen sa më tepër, të kundërshtojnë, protestojnë dhe fitojnë, si popull me tradita kombëtare dhe liridashëse, me parti dhe pa parti, kundër të keqes së përbashkët që i ka goditur nga politikat (partitë) në shërbim të interesave të huaja, qeverisja e keqe dhe sundimi i huaj, jodemokratik dhe antikombëtar.

Reklame

Po këto parti kanë qenë edhe nënshkruese të Deklaratës së përbashkët të partive politike parlamentare të shqiptarëve në janar të vitit 2017 dhe asnjëherë nuk kanë arritur ta realizojnë atë dhe zotimet e liderëve të partive nënshkruese të saj, madje as që e kanë përmendur ndonjëherë.

Deri më sot dihet se pushtetin në këtë shtet e udhëheqin dy koalicione të partive joshqiptare (maqedonase, turke, serbe, rome, vllahe, boshnjake etj.), të udhëhequra nga LSDM dhe OBRM-PDUKM (VMRO), ndërsa partitë e shqiptarëve vazhdimisht e kanë luajtur rolin e partnerit “strategjik” në qeveritë e tyre, për tri dekada me radhë. Nëse funksionin pozitë-opozitë këto parti e kuptojnë vetëm si ndryshim të vendeve në pushtetin edhe ashtu fiktiv, shqiptarët e dinë se asnjëra nga këto parti nuk ka mbetur pa e provuar këtë lloj pushteti.

Në këtë rast, duhet të kuptohet qartë se nuk bëhet fjalë për krijimin e ndonjë koalicioni të partive opozitare (meqë disa prej tyre edhe aktualisht janë në pushtet), por për krijimin e ndonjë koalicioni të zakonshëm parazgjedhor mes tyre, ndërsa edhe më tej jashtë këtij koalicioni do të mbeten parti të tjera, të cilat mund të garojnë të vetme, apo në koalicione të tjera, të paparalajmëruar deri më sot.