Lautaro rrëfen arsyen pse qau pas zëvendësimit në fitoren e Argjentinës

Lautaro Martinez është parë në lot gjatë ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Botëror, ndërmjet Argjentinës dhe Uruguait, ku shënoi në fitoren prej 3-0 të përfaqësueses së tij.

24-vjeçari u zëvendësua disa minuta pasi e realizoi golin e tretë të Albicelestëve, ndërsa Joaquin Correa e zuri vendin e tij.

Sulmuesi u përfshi nga emocionet kur u ul në bankë, ndërkohë mediat hodhën dyshimet për arsyen e këtij reagimi emocional.

Këto ishin lot gëzimi, pasi disa ditë më parë e kishte tejkaluar frikën e një lëndimi serioz, si edhe ky ishte goli i parë i realizuar në qytetin e tij, Buenos Aires.

I pyetur nga gazetarët pse kishte qarë pas një fitore bindëse të Argjentinës, Lautaro u përgjigj: “Për vajzën time, familjen time, më shumë për këtë”.

“Mendova për familjen time që ndodheshin në stadium, prandaj u emocionova. Është një sakrificë, të lësh shumëçka anash. Familja ime më ka shoqëruar gjithmonë dhe unë do t’u jem gjithmonë falënderues”, ka thënë sulmuesi i Interit. /Telegrafi/