Lejohen tubimet partiake, por jo mbrëmjet muzikore!

Advertisment

Menaxherët e mbrëmjeve muzikore, dasmave dhe ahengjeve tjera, janë revoltuar nga shkaku se tubimet partiake gjatë gjithë fushatës janë lejuar, ku kishte një numër të madh njerëzish dhe aspak nuk respektoheshin masat e rekomanduara. Por në anën tjetër, sipas tyre, nuk po lejohen mbrëmjet muzikore ku do të kishte një numër të kufizuar të të ftuarve dhe ku mund të menaxhohet më mirë situata se sa në tubimet partiake

Sektori më së shumti i cili ka pësuar nga pandemia e virusit korona si shkak i masave të marra nga Qeveria, është sektori i gastronomisë, turizmit pastaj dhe zinxhir kanë pësuar të gjithë njëri pas tjetrit. Sipas vendimit të Qeverisë, u lejuan që të hapen kafenetë, restorantet dhe hotelet, por me protokolle të veçanta për punë dhe me numër të kufizuar të klientëve.

Reklame

Por si duket këto masa nuk janë duke u respektuar nga disa lokale. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, kërkoi nga MPB, që të kryej hetime dhe të sanksionoj lokalet në disa qytete të vendit, të cilat nuk po i respektojnë protokollet qeveritare për mbrojtje ndaj virusit korona. Sipas tij, bëhet fjalë për disa fotografi që po shpërndahen së fundmi në rrjetet sociale, nga mbrëmjet muzikore. Fotografia në fjalë flitet se është në Strumicë, ku marrin pjesë një numër i madh njerëzish, me çka është në kundërshtim me protokollet momentale të qeverisë.

Këngëtarët dhe pronarët e restoranteve dhe klubeve të natës, janë të shqetësuar dhe deklarohen se janë duke shkuar në humbje vazhdimisht nga shkaku i ndërprerjes së punës si shkak i vendimit të Qeverisë. Ata kërkojnë që Komisioni për Sëmundje Infektive, të lejoj punën e tyre sepse tani më është hapur dhe po punon gjithçka.

Këngëtarët dhe organizatorët e mbrëmjeve muzikore, janë të pa kënaqur nga lejimi i tubimeve partiake në sheshe, ndërkaq në anën tjetër mbrëmjet muzikore apo dasmat ndalohen të mbahen, sipas tyre këto janë standarde të dyfishta. Këngëtari Shpëtim Mustafa, për gazetën KOHA, është shprehur se qytetarët aspak nuk duhet të kenë dilema për virusin korona dhe ekzistimin e tij, por të kenë kujdes dhe të ruhen maksimalisht duke respektuar masat e rekomanduara. Por sipas tij, autoritetet shtetërore nuk po veprojnë drejtë me masat për virusin korona dhe po diskriminojnë këngëtarët dhe organizatorët e mbrëmjeve muzikore.

“Si ndjehet sot një këngëtar që gjithë këtë kohë i ka respektuar të gjitha rekomandimet maksimalisht ( anulimin e të gjitha ngjarjeve mbrëmjet muzikore, dasmat, koncertet etj) dhe sheh një postim të ministrit të Shëndetësisë, i cili na qorton të gjithëve për mos respektimin e masave, sepse paska parë një video të një koncerti në Strumicë, në të cilën nuk qenkan respektuar masat kundër virusit korona”, ka thënë ai. Ai nuk dëshiron ti amnistoj organizatoret e koncertit, por është i revoltuar se si ministri nuk reagoi as edhe një herë për të gjithë ata tubime partiake, që u mbajtën hiç më larg se një javë më parë, ku mblidheshin një numër i madh njerëzish.

“Të mos kesh të drejtë të organizosh mbrëmje muzikore me maksimum 100 njerëz dhe në anën tjetër të lejohen tubimet me mbi 1.000 njerëz, jo vetëm që është padrejtësi ndaj nesh por është edhe nënçmim i inteligjencës kolektive”, përfundoi Mustafa. Ndryshe, afërsisht çdo ditë kemi më shumë se 200 persona të cilët dënohen nga MPB, por mos respektimin e masave mbrojtëse ndaj virusit korona. Punonjësit e dasmave dhe mbrëmjeve muzikore, kanë kërkuar vazhdimisht që të lehtësohen masat qeveritare për dasmat dhe mbrëmjet muzikore. (koha.mk)