Letër lamtumirëse për Prof.Dr. Galip Veliun: Amanetin tënd do ta ruajmë…

Advertisment

Shkruan prof. Kushtrim Ahmeti

Është mjaft e vështirë të zgjedhësh fjalët për t’i thënë sot, akoma më vështirë t’i përmbash emocionet…
Për atë sot jam me letër para jush, edhe pse Ai asnjëherë nuk më donte të tillë-sepse e donte spontanitetin, fjalën dhe mendimin e lirë.
Ishte i mahnitur nga idetë iluministe të Rilindasve tanë, të cilët i përjetësoi me “Diturinë”, dhe me të drejtë mund ta quajmë Rilindasi i kohëve tona, i cili një jetë të tërë ishte në shërbim të dijes dhe studentëve!

Reklame

“Pse mërzitesh, unë s’kam vdekur, e kur të vdes…”, ishin fjalët e profesorit me të cilat çdoherë kishte zgjidhje për hallet dhe problemet tona. E tash e tutje do të kemi vetëm një të tillë-mungesën e tij, sepse me asgjë nuk mund të plotësohet boshllëku që la pas.

“Ku ka më e mirë se vdekja, njeriu e jeton jetën vetëm për ta shijuar atë moment!

Sikur ta kuptonim se sa i madhërishëm është ai moment, do t’i gëzoheshim të gjithë”. Këto ishin fjalët e tij dhe ja shpirti e shijoi vdekjen, dhe tash është i lirë amshueshëm, u çlirua plotësisht, e fitoi përjetësinë.
Për ne, që kishim fatin ta kemi pranë e që po mbetemi pas tij është një detyrë: ta ndjekim rrugën që e trasoi. Nuk do të jetë aspak e lehtë sepse ne jemi mësuar vetëm të bashkudhëtojmë me të këtyre shtigjeve të pashkelura, e shpeshherë edhe të thepisura e me plot pengesa…

Por ja, po të premtoj Profesor se do ta ndjekim idealin tënd, do të vazhdojmë atje ku e latë Ju, sepse “vetëm dritë e Diturisë përpara do të na shpjerë”.

Po ta japim fjalën, sepse fjala e dhënë për ty kishte vlerë, ishte aq e vlefshme sa që bëheshe peng i saj!

Dy amanetet tua: diturinë dhe Universitetin e Tetovës do t’i ruajmë me përkushtimin më të madh ashtu siç vepruat dhe siç na mësuat Ju!
Tani po e përmbyll, jo sepse mbaruan fjalët për Ju, por ngase besoj se je duke pëshpëritur atje dikund lart: Mjaft më o idiot!-ashtu siç e kishe zakon të na thoje sa herë që e zgjatnim duke folur.
Prehu në paqë Profesor!
Jetove në Republikën e Dijes, e tash u përjetësove në Republikën Hyjnore të Zotit!
Të qoftë i lehtë dheu i kësaj toke që aq shumë e deshe…
Vrapçisht, 03.08.2020