Lëvizja BESA: Qeveria e numrave s’ka legjitimitet për qeverisje

Lëvizja BESA përmes një komunikate ka reaguar sot lidhur me formimin e Qeverisë së re, me mandatar Dimitar Kovacevski, e cila sonte para mesnate pritet të marrë besimin në Kuvend. Ja komunikata e plotë:

Ashtu siç edhe pritej, qeveria e re që në paraqitjen e programit dëshmon se nuk ka as kapacitetin politik por as legjitimitetin zgjedhor për të udhëhequr me vendin.

Reklame

Në kohë të sfidave politike, ekonomike, sociale dhe arsimore në vend që të dëgjojmë oferta për zgjidhje të problemeve esenciale mandatari i ri shpalos idenë për dekriminalizimin e kanabisit dhe retorikën boshe politike që nuk garanton të ardhme të sigurtë për vendin.

Gjitha vërejtjet që Lëvizja BESA ka bërë gjatë kësaj periudhe dëshmohen si të sakta prandaj zgjidhja me e mirë për dalje nga kriza që po shkakton qeveria e numrave, janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Shtrembrimi i vullnetit politik, pazaret me shit-blerjen e mandateve të deputetëve kanë delegjitimuar këtë qeveri dhe korigjimi i gjithë kësaj situate bëhet vetëm duke kthyer mandatin te populli.

Lëvizja BESA do shfrytëzojë të gjitha mekanizmat demokratik për të demaskuar edhe më tej këtë qeveri jo legjitime, jo demokratike e cila është ndërtuar mbi interesin e pazareve me shit-blerjen e deputetëve dhe jo mbi parimet politike që duhet të ketë një qeverisje.