Lëvizja Besa: Teleferiku në Tetovë, dështimi i radhës i BDI-së

Advertisment

Kandidatja për deputete në NjZ 6, Hatije Etemi nga radhët e Lëvizjes Besa, ka mbajtur një konferencë për shtyp në lidhje me teleferikun në Tetovë.

”Jemi këtu për të theksuar edhe njëherë dështimin e radhës të BDI-së, gjegjësisht teleferikun në Kodrën e Diellit. Përveç se punimet për teleferikun u vonuan shumë, ai sot akoma nuk është funksional dhe nuk i përmbush kriteret për sigurinë e turistëve.

Reklame

Është pritur shumë për ndërtimin e një teleferiku modern dhe të sigurtë, por edhe këtë herë BDI i zhgënjeu qytetarët. Mungojnë shumë gjëra, mungojnë zhvillimet dhe ajo çka është me rëndësi, është largimi i ELEM-it që ka uzurpuar këtë vend.

Mungesa e vendeve për parkim, mungesa e kanalizimit fekal dhe atmosferik, infrastruktura rrugore, ndriçimi, janë poashtu probleme tjera elementare që mbeten çështje të pazgjidhura në funksionimin e qendrës turistike, gjegjësisht Kodrës së Diellit”, është deklaruar Etemi para medias.

Nga Lëvizja Besa thuhet se akoma nuk ka një revizion të projektit të teleferikut për të cilin do të raportohen lëshimet gjatë punës. Etemi pyet pse deri më tani mungon formulimi i një raporti të tillë, sepse dihet që projekti do të del i dështuar dhe i papërfunduar. Gjithsesi vijmë te momenti se dikush duhet të mbajë përgjegjësi dhe ajo është BDI-ja.