Liberalizohen pagesat kesh, biznesi merr frymë më lirshëm

Advertisment

Me qëllim të uljes së ekonomisë informale në vend, nga një qershori i vitit 2019 deri më 31 dhjetor të vitit 2019, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të blinin mallra me para të gatshme vetëm deri në vlerën mbi 500 euro apo 30.000 denarë. Paraprakisht, prej fillimit të muajit korrik të vitit 2018, pragu i pagesave kesh u zvogëlua prej 15 mijë në dy mijë euro. Mirëpo , pas ankesave të mëdha të biznesit dhe qytetasve, në fund të muajit dhjetor 2019 , u rrit pragu i pagesës me kesh nga 500 në 3000 euro. Edhe para hyrjes në fuqi të kësaj dispozite ligjore, ekonomistët dhe odat ekonomike në shtet kanë reaguar se një ligj është tejet shtrëngues , ndërsa një masë e tillë jo vetëm që do vështirësojë punën e tregtarëve, por edhe nuk do të ulë ekonominë informale.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kohë më para vlerësuan se me hyrjen në fuqi të nenit 182 të Ligjit për parandalimin e larjes së parave dhe financimin e terrorizmit, i cili parashikonte që të mos lejohen pagesa me para të gatshme mbi 500 euro, bizneset e vogla, dhe të mesme do të hasin në shumë vështirësi pasi që do të mbingarkoheshin aq shumë duke u preokupuar me formalitete ligjore sa që do të vënë në dyshim a ja vlen të vazhdojmë me veprimtarinë e tyre. Gjithashtu u vlerësua se një ndalesë e tillë është mjaft restriktive dhe ngulfat punën e bizneseve. Bile dënimet për qytetarët dhe bizneset që do të paguanin me para të gatshme në dorë ishin prej 5000 deri 80.000 euro në vlerën që tejkalonte 500 euro. Kjo në praktikë nënkuptonte se çdo kush që dëshironte të blejë orendi shtëpiake apo televizor duhet patjetër të paguante me kartela bankare, ose të shkojë në bankë të paguajë me fletëpagesë.

Reklame

Nga OEMVP kanë alarmuar para miratimit të një vendimi të tillë se shprehitë e popullatës në rajon anojnë kah pagesa me kesh dhe të njëjtat vështirë po ndryshohen, ndonëse konsumatorët gjithmonë gjejnë mënyra të tjera për shitblerje, duke shkuar madje të blejnë edhe në shtetet fqinje.

Edhe nga odat e tjera ekonomike kanë vlerësuar se një zgjidhje e tillë nuk shkonte në favor të qarkullimit më të madh të parave dhe biznes ambientit në shtet. Sipas Lidhjes së Odave Ekonomike, në gjashtë muajt e kaluar ndodhi ajo për të cilën edhe kanë alarmuar bizneset.

“Populli është gjendur duke nënshkruar për shembull marrëveshje për qira deri në 500 euro , ndërsa dallimi paguhej me kesh që ka rritur ekonominë informale. Apo kemi edhe shembuj të shitjes së veturave ku të gjitha marrëveshjet e shitblerjes ishin 29.999 denarë, ndërsa dallimi i çmimit paguhej në kesh”, vlerëson Dragan Mitkovski, kryetar i Odës së Kontabilistëve pranë Lidhjes së Odave Ekonomike.

Para dy vitesh, apo në mesin e vitit 2018, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore vlerësuan se Ligji që hyri në fuqi më shtatë korrik , për parandalimin e larjes së parave dhe financimin e terrorizmit, do të shkaktojë probleme të mëdha në biznesbërjen, si qarkullimin e parave për biznesin. Bile dispozitat e tij janë shumë më restriktive në Maqedoni, lidhur me ndalesat prej 2000 euro në raport me 15 mijë euro në raport me shtetet e tjera anëtare të BE-së apo shtetet kandidate për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian thonë nga OEMVP.

“Kjo ulje drastike e shumës prej 15.000 në 2.000 euro do të vështirëson bërjen e biznesit në vend. Ky konstatim është marrë në bazë të anketës së realizuar nga Zyra për Hulumtim dhe Zhvillim pranë OEMVP-së, prej ku 86.7 për qind të anëtarëve e vlerësojnë këtë ligj si të dëmshëm ne sferën e bërjes së biznesit. Duke luftuar për të minimizuar ekonominë jo-formale, kjo mund të shpie edhe deri të asgjësimi i tyre, që nuk do të ishte në interes të vendit sepse me rëndësi është që jo-formalja të bëhet formale dhe të konkurron në treg me të gjithë pjesëmarrësit tjerë dhe sigurisht të paguajnë tatimet e jo të asgjësohet”, vlerësuan kohë më parë nga OEMVP.

Ndryshe në Kroaci që është anëtare e Bashkimit Evropian që prej tetë vitesh, sipas dispozitave ligjore në rast se lëshoni llogarinë fiskale mund të paguani me para të gatshme në dorë apo me kesh me vlerë deri më 15 mijë euro. Kjo vlen për shitblerjen e mallrave dhe prodhimeve të ndryshme, shitjen e patundshmërive, qiratë e ndryshme, dhënien e huave, si dhe letrat me vlerë. Përkufizime ka vetëm nëse mallrat apo shërbimet shiten apo blihen ndërmjet bizneseve .Në atë rast vlera e transaksioneve nuk guxon të tejkalojë 5000 kuna apo afër 700 euro. Nëse paguani nga qytetarët apo personat fizik, atëherë vlera e parasë në dorë nuk guxon të tejkalojë 105.000 kuna apo 15.000 euro.