Liderët e partive në përpjekje për të siguruar shumicën e re parlamentare

Advertisment

Partitë kanë nisur komunikimet me qëllim sigurimin e shumicës së re parlamentare. Megjithëse nuk ka asgjë konkrete, të gjitha subjektet konfirmojnë se liderët janë në komunikim. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se lideri i tyre Hristijan Mickoskit, gjatë takimit me ambasadoren gjermane në Shkup, Anke Hollshtajn i ka bërë me dije se është duke zhvilluar negociata për sigurimin e 61 votave në Kuvend.

Partia e Mickoskit nuk zbardh më shumë hollësi mbi negociatat. Ndërkohë nga LSDM-ja thonë se negociatat do të intensifikohen në fillim të muajit gusht. Socialdemokratët pranojnë se lideri i tyre Zoran Zaev është në komunikim me liderët e partive politike nga blloku politik shqiptar. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa gjatë marshit protestues të mbajtur ditë më parë i bënë thirrje partive të bllokut politik maqedonas që të mos negociojnë me BDI-në për formimin e shumicës, pasi sipas tyre partia e Ali Ahmetit nuk e ka legjitimitetin e shqiptarëve.

Reklame

Porosia e parë është për partitë maqedonase. Të mos lejoni të nëpërkëmbni akoma legjitimitetin e shqiptarëve, ju e dini shumë mirë kush i përfaqëson shqiptarët nga 15 korriku e këndej – deklaroi Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.

Nga BDI thonë se kreu i partisë është në komunikim me liderët e partive shqiptare, ndërsa pas konstitutimit të Kuvendit pritet t’i nisë negociatat me liderët e bllokut politik maqedonas. Kuvendi përgënjeshtron informacionet se Talat Xhaferi është pozitiv në Kovid-19, duke potencuar se i pari i ligjvënësit në bazë të rekomandimeve të mjekëve është në pushim për shkak të lodhjes nga fushata zgjedhore. Në rast se Xhaferi nuk do të jetë në gjendje ta thërrasë Kuvendin më 4 gusht, atë mund ta bëj deputeti më i vjetër i përbërjes Parlamentare. Pas 15 gushtit pritet që presidenti Stevo Pendarovski t’ia besojë mandatin liderit që siguron 61 nënshkrime, ndërsa nga fundi i muajit gusht, në rast se negociatat shkojnë në bazë të afateve të parapara pritet edhe votimi i Qeverisë së re.