Ligji për lojërat e fatit, nëpër labirintet e Kuvendit

31

Përmes një kazinoje të improvizuar, Lëvizja Anti Bixhoz protestoi në sheshin Iliria në Tetovë, duke kërkuar edhe njëherë që bastoret sportive si dhe kazinotë të vendosen në zona që janë së paku 3 km larg vendbanimeve. Brenda kazinosë së improvizuar, aktivistët e kësaj Lëvizje kishin vendosur disa fotografi me thënie të cilat kanë të bëjnë me dëmet që sjellin lojërat e fatit. Ata kërkuan nga kompetentët sjellje sa më të shpejtë të Ligjit për lojërat e fatit.

Ne zgjodhëm këtë mënyrë të protestës që të vetëdijesohen të gjithë ata që kanë dilema se çfarë duhet të vendoset me këto kazino dhe bastore sportive apo të gjithë lojërat e fatit. Siç e dini, kërkesa jonë është 3 km larg vendbanimeve dhe shpresojmë që ky do të jetë labirinth i fundit për ata të cilët do mundohen që të hyjnë. Sot fillojmë në Tetovë, dhe çdo të shtunë ky labirinth do jetë në disa qytete të Maqedonisë, herën e ardhshme do ju informojmë se ku do jemi”-tha Xhemal Abdiju, Kryetar i Lëvizjes Anti – Bixhoz

Propozim-ligji për lojërat e fatit, për më shumë se 1 vit ka ngecur në parlament. Si propozues i ndryshimeve, deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili thotë se po bëhet përpjekje që të gjendet konsensus mes koordinatorëve të grupeve parlamentare për të krijuar shumicë votash dhe për ta miratuar të njëjtin.

Propozim ligji ka gati 1 vit në që gjendet në procedurë parlamentare. Ka kaluar në lexim të parë dhe kemi pasur edhe debat mjaft të frytshëm publik ku janë shqyrtuar të gjitha alternativat. Është konstatuar se duhet të ndërmerret diçka në këtë drejtim. Tani na mbetet që të sigurojmë 61 vota për ta miratuar ligjin sepse nuk na mjaftojnë vetëm votat e deputetëve të partisë tonë. Ligji tani është në mes të koordinatorëve të grupeve parlamentare për të siguruar shumicë votash për ta miratuar të njëjtin”-pohoi Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së, propozues i Ligjit.

Nga Lëvizja Anti-Bixhoz thonë se më së miri do të ishte që të ndiqet shembulli i Shqipërisë dhe Kosovës kur të gjitha lojërat e fatit janë të ndaluara me ligj. Në rast se nuk arrihet një marrëveshje e tillë, ata të paktën kërkojnë dislokimin e lojërave të fatit, së paku 3 kilometra nga vendbanimet. Por shoqatat e kazinove, gjatë debatit publik, kundërshtonin mbylljen e kazinove dhe të bastoreve, pasi që sipas tyre, ky veprim do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe do të linte pa punë mbi 20 mijë persona. Nga Lëvizja Anti-Bixhoz thonë se mbi 50 për qind e personave të varur nga lojërat e fatit, kanë menduar apo planifikuar të vetëvriten ndërsa 16 % e tyre madje edhe kanë tentuar.