Biznesi i lojërave të fatit “metastazon” në qytetin e Tetovës, ndërkohë që qytetarët kanë protestuar për hapjen e kazinove të reja. Ata vazhdimisht kanë kërkuar që objektet ku ushtrohet ky biznes të zhvendosen së paku 3 km larg nga vendbanimet. Një numër i madh i njerëzve të grupmoshave të ndryshme janë “pre” e lojërave të fatit.

Autor: Liridon Saliu

Lojërat e fatit janë kthyer në një argëtim popullor, lehtësisht të arritshme dhe të preferuara nga shumë njerëz. Biznesi i lojërave të fatit po përhapet me ritme të shpejta në Tetovë, duke shtuar numrin e “viktimave” të këtij pasioni të papërballueshëm.
Lojërat e fatit, ndryshe bixhozi është një koncept i gjerë dhe përfshin aktivitete të ndryshme, lojëra me zare, me letra, poker, kazino, lojëra të ndryshme tavoline, gara me kuaj, me qen, baste sportive etj.

Lojërat e fatit janë tërheqëse për njerëz të ndryshëm dhe perceptohet në mënyra të ndryshme. Për disa njerëz, lojërat e fatit janë eksperienca të kënaqshme, për disa të tjerë ato çojnë në efekte të mëdha negative, probleme që mund të rezultojë në dëme ndaj të afërmeve të atyre që luajnë komunitetit më gjerë. Sipas psikologëve pasojat janë dëmtim personal, profesional, familjar dhe social.

Brenda kohës shumë qytetarë janë shprehur se lojërat e fatit janë një ‘kancer’ për qytetin e Tetovës. Nuk janë të pakta edhe reagimet në opinion të njerëzve që kanë njohuri mbi pasojat e kësaj dukurie. Sipas tyre, kjo dukuri tashmë ka lëshuar “metastazë” në mbi 50 pika që momentalisht funksionojnë dhe gjë prodhojnë degjenerim. Janë 19 kazino dhe 39 bastore sportive që frekuentohen nga gropmosha të ndryshme, të cilat sipas të dhënave të kontrollohen nga firma serbe-maqedonase. Indikacionet për këtë kontroll vijnë edhe nga programet që përdoren në këto ambiente që janë në gjuhën serbe.

Vlerësohet se qarkullimi ditor i lokaleve të lojërave të fatit dhe bastoreve arrin diku 10 mijë euro. Pikërisht mbi këtë fenomen që po e atakon qytetin përbrenda, pas paralajmërimeve se në lagjen Reçicë të Vogël, do të hapet një kazino e re kanë reaguar qytetarët e kësaj bashkësie lokale. Organizatorët e kësaj proteste kishin bërë thirrje që të mos lejohet hapja e një kazinoje në afërsi shkollës për shkak se është në dëm të gjithë nxënësve.

Protesta ishte mbajtur nën moton “mjaft na degjeneruat rininë”, ndërkohë që ishte kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa kundër kësaj dukurie negative. Protestuesit kishin kërkuar që kazinot të jenë më së paku 3 km larg nga shtëpia më e fundit e vendbanimit. Qytetarët ishin shprehur se brenda qytetit nuk duhej të kishte aspak kazino, ndërkohë që kishin theksuar se kjo i shkon dikujt për shtati. Ata kishin adresuar kritika edhe ndaj autoriteteve të komunës, ndërkohë që disa nga qytetarët kishin theksuar se qeveria duhej të merrte si shembull Shqipërinë ku më parë ishin ndaluar lojërat e fatit.

“Duke pasur parasysh situatën në të cilën jemi në Tetovë, ne, jemi të bindur por edhe ju bëjmë thirrje, pavarësisht se jemi takuar me ta, llogarisim se patjetër duhet marrë parasysh kërkesat tona sa iu përket distancave dhe institucioneve. Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona dhe të qytetarëve ne po përgatitemi për protestat e ardhshme”, kanë theksuar nga Këshilli kundër bixhozit.

Kjo protestë dhe shumë paraqitje tjera publike të njerëzve kundër kazinove, brenda kohës kanë alarmuar institucionet lokale dhe qendrore. Kjo betejë akoma vazhdon, ndërkohë që këmbëngulja e qytetarëve për të respektuar kërkesat e tyre për zhvendosjen e kazinove dhe parandalimin e hapjes së kazinove të reja vazhdon.