Lokalet e Çarshisë së Shkupit me çmime perëndimore e me standarde lindore!

39

Në kohën kur zanati është në zhdukje dhe dyqanet dita ditës nga punëtori transformohen në kafene dhe restorante. Sot në Çarshinë e Shkupit mund të vëreni pothuajse në çdo rrugë dhe rrugicë të saj lokale të reja të hapura.

Shpesh herë të rinjtë nga pamundësia për të gjetur ose krijuar punë, shfrytëzojnë një pjesë të kapitalit familjar për të marrë një objekt me qera në Çarshi të Shkupit me çmim të ulët që të ushtrojnë veprimtarinë e kafenesë duke punuar vet apo duke punësuar një gjimnazist ose punëtorë pa përvojë i cili ka nevojë për një mëditje minimale ditore.

Lehtësia për të hapur lokal në Çarshi, pa regjistruar firmën dhe pa vendosur standardet elementare për hapjen e saj, ka shtuar në masë të madhe numrin e atyre që marrin iniciativën të hapin lokal me investime modeste. Por ky fakt po sjell edhe një efekt të kundërt, mungesa e hapësirës, pastërtisë dhe çmimet e larta, po krijojnë përshtypje negative nga ana e vizitorëve të rregullt në Çarshi.

Pasi anketuam tre persona rasti në lidhje me cilësinë, shërbimin dhe çmimet e këtyre lokaleve, morrëm përgjigje jo të kënaqshme me faktin që shumica e lokaleve nuk ofrojnë kuponin fiskal, nuk kanë çmimore dhe më e rëndësishmja, nuk i japin rëndësi pastërtisë dhe mirëmbajtjes.

Agron.S 33 vjeçar, vizitues i rregulltë i Çarshisë thekson që çmimet vit pas viti ndryshojnë dhe kanë ngritje enorme. Sipas tij, nëse një kafe espresso para 4-5 viteve ka kushtuar 30 denarë, sot atë e gjen me 50-60 denarë, për cilësi e pastërti mos të flasim.

Bujar A. 25 vjeçar, thekson se pijet në Çarshi po bëhen të pa përballueshme me faktin që shumica e të rinjve në këtë rajon janë të papunë dhe çmimet e pijeve janë të fryra pa nevojë. Nëse një pije freskuese ka kushtuar 60 denarë, sot atë nuk mund ta gjesh ndër 100 denarë në cilindo lokal në Çarshi.

Albulena K., studente 20 vjeçare, thotë që pas ligjeratave çdoherë frekuenton Çarshinë me shoqërinë dhe ajo shprehet që çdo ditë po hapen lokalet e reja si këpurdha. Çmimet sipas saj nuk janë aq të larta sa është problemi i pastërtisë ku shpesh herë kërkojnë nga kamarieri të pastrojë më shumë tavolinën ku qëndrojnë e ndonjëherë edhe gotat.

Mungesa e inspektoratave në Çarshi, po krijon situatë jo të lakmueshme duke pas parasysh se çmimet e ofruara nuk po përputhen me ofertën e shërbimit. Papastërtia, mungesa e çmimoreve, çmimet e fryra po janë faktor që po i’a ulin vlerën kësaj veprimtarie, e mbi gjitha vlerën e Çarshisë.