LSDM dhe BDl vendosin kontakte, bëhet gati terreni post-Ilindenit

Advertisment

Parimi i pashkruar zgjedhor në Maqedoni “fituesi me fituesin” po vazhdon të jetë në fuqi.

Fituesi i zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut ka nisur kontaktet joformale me fituesin tek shqiptarët në Maqedoni.

Reklame

TV21 mëson se Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, ka nisur të bashkërendojë punët me Bashkimin Demokratik për Integrim, rreth mundësisë për formimin e qeverisë së ardhshme!

LSDM ka 46 deputetë, dhe me 15 të tjerët e BDI-së, krijon shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh për 4 vitet e ardhshme.

Zyrtarisht të dy partitë, LSDM e BDI, thonë se janë “në pushim”, megjithatë siç thonë burimet e TV21, dy kampet po bëjnë gati terrenin për negociatat formale mes liderëve të tyre, Zoran Zaev e Ali Ahmeti!

TV21 ka kontaktuar me të dy “kampet” që po folin në emër të partive të tyre, për të gjetur “të përbashkëtat”!

Protagonisti i LSDM-së as nuk pohon e as nuk e mohon kontaktet apo edhe takimin, gjersa zyrtari i BDI-së mohon një gjë të tillë.

“LSDM edhe tani pas fitores vazhdimisht është në komunikim me të gjithë aktorët politik që janë të hapur për mbështetje të rrugës së sigurt evropiane të vendit. Tani është koha për pushim. Bisedimet me të gjitha forcat evropiane që çojnë përpara, e jo prapa si regjimi dhe e pareformuara DPMNE, do të nisin pas festës së Ilindenit dhe konstituimit të Kuvendit të ri. Kjo është e rëndësishmja-një hap serioz për të ardhmen e të gjitha gjeneratave, e jo kush me kë është takuar”, tha një zyrtar i LSDM-së.

Pas përgjigjes që zyrtari i LSDM-së na e dha për këtë kronikë, i njëjti sërish komunikoi me TV21, për siç tha, të jetë më i qartë në lidhje me vendosjen e kontakteve LSDM-BDI për formim të qeverisë. Ai thotë se nuk ka pasur asnjë lloj takimi dhe se presin që të ketë pas festës së Ilindenit. “Nuk ka pasur as tani në Maqedoni e as jashtë vendit. Çuditemi me informacione të këtilla” tha ai.

“Jo nuk është e vërtetë”, u shpreh një zyrtar i BDI-së.

Lideri i LSDM-së gjatë fushatës zgjedhore, kishte thënë se parapëlqen që BDI-ja të shkojë në opozitë!

Por, Ali Ahmeti në një intervistë për TV21, e kishte vlerësuar si të ngutshme deklaratën e Zoran Zaev, dhe se parapëlqen që të vazhdojë ta ketë partnerë qeveritar!

Pavarësisht fushatës zgjedhore, partnerët eventual të koalicionit të ardhshëm qeveritar, pritet të takohen në Reçicë, për të akomoduar kërkesën e “kryeministrit shqiptar”, kusht ky i BDI-së për votat e 15 deputetëve!

Formalisht, të dy kampet presin që qeveria të formohet më së voni në javën e tretë të gushtit!

Dita e Ilindenit festohet më 2 gusht.