Lufta për naftën, Biden drejt Arabisë Saudite

Një vizitë në Riad do të përfshihet në turneun e presidentit amerikan të qershorit në Evropë dhe Izrael, thanë zyrtarët amerikanë për disa media.

Presidenti amerikan Joe Biden është planifikuar të vizitojë Arabinë Saudite në javët e ardhshme, sipas raportimeve të shumta.

Ky udhëtim sinjalizon devijimin më të qartë nga premtimi i administratës Biden për të “ri-kalibruar” lidhjet me një aleat të vjetër mbi shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut.

Lajmi për vizitën vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po i drejtohen gjithnjë e më shumë Riadit dhe prodhuesve të tjerë të mëdhenj të karburanteve fosile, në një përpjekje për të zëvendësuar naftën ruse dhe për të stabilizuar tregjet globale të prekura nga pushtimi rus i Ukrainës.

Ka shqetësime se çmimet e larta në pikat e karburantit mund të dëmtojnë Partinë Demokratike të Bidenit në zgjedhjet e ardhshme të Kongresit, në të cilat ajo do të luftojë për të mbajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin.

Vizita në Arabinë Saudite do të përfshihet në turneun e Bidenit në Evropë dhe Izrael në qershor, thanë zyrtarët amerikanë për disa media.

Sipas tyre, Biden duhet të takohet me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman.

Në vitin 2021, në raportin e inteligjencës amerikane, Bin Salman ishte i lidhur me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në tetor 2018 në Stamboll, të cilën Riadi e mohoi.

Pas publikimit të dokumentit, Uashingtoni la të kuptohet se Biden nuk do të bashkëpunonte me Bin Salmanin, siç bëri paraardhësi i tij Donald Trump, por me Mbretin Salman.

Para se të merrte detyrën, Biden tha në një debat në vitin 2019 se, si president, ai do ta detyronte Arabinë Saudite të “paguante çmimin” për vrasjen e Khashoggi.