Lulëzimi i videolotarisë shtetërore! 7 miliardë denarë për 5 vite punë (VIDEO)

Videolotarisë shtetërore duket se i ka lulëzuar fati në Maqedoninë e Veriut. Nga 2015 e deri në vitin 2019, sipas të dhënave të Regjistrit Qendror, ka mbledhur mbi 7 miliardë denarë (7,038,767,738) të ardhura totale, që në euro janë 114,238,777 euro.

45,38% e kësaj shume është paraqitur shpenzim, pra harxhime, kurse 50,42% si fitim. Pra për 5 vite, Videolotaria ka fituar 1,7 miliard denarë, ose 27,7 milionë euro.Të dhënat për humbjet nuk ka, e as për qarkullimin e vitin 2020, vit pandemie.

Reklame

Kërkuam intervistë nga drejtori i Videolotarisë, por nga zyra për marrëdhënie me publikun na u tha se është i zënë, andaj pyetjet i kërkuan përmes e-mailit, por as këtu sot nuk morëm përgjigje.

Ajo që kërkuam të dimë janë të dhënat për vitin 2020, nëse i blenë 1500 aparatet e reja me 6,5 milionë euro për të cilën shpallën tender muaj më parë dhe kush është pronari i vërtetë i të ashtuquajturës “Austrian Kazinos”.

Kjo sepse lotaria shtetërore është subjekt ku 49% është kapital i jashtëm, ndërsa 51% pronë e shtetit. Po as nga institucionet publike, konkretisht Ministria e Financave askush nuk pranoi të japë intervistë për atë se ku kanë shkuar deri më tani miliona denarët e mbledhura nga Videlotaria? Zyra për media e Ministrisë, në mungesë të intervistës, na tha që të bazohemi në nenin 16 të Ligjit për Lojërat e Fatit.

Këtu tregohet vetëm sipërfaqësisht se mjetet që i takojnë shtetit nga lojërat e fatit, Qeveria i shpërndan për financim të organizatave që merren me kategori të rrezikuara qytetarësh dhe për sport.

Po nëse Videolotaria dhe Ministria nuk janë të gatshme për të folur, Lëvizja Antibixhoz nuk heziton asnjëherë. Xhemal Abdiu thotë se milionat që kompanitë dhe shteti fitojnë janë para të plaçkitura nga qytetarët.

“Ato janë vlera marramendëse, ndoshta për ata janë thjesht numra, mirëpo bëhet fjalë për vlerë disa milionëshe dhe janë para që nuk kthehen prapa, para të plaçkitura nga xhepi i qytetarit dhe normal që janë kompani të huaja dhe harxhohen krejtësisht diku tjetër”, deklaroi Xhemal Abdiu, Lëvizja Antibixhoz.

Lëvizja Antibixhoz kërkon që do të mbyllen objektet e lojërave të fatit, ose dislokimin e tyre jashtë zonave të banuara. Pronarët e kazinove dhe bastoreve janë kundër kësaj, sepse do t’i dëmtonte në veprimtarinë e tyre. Draft ligji që Ministria e Financave e ka publikuar në ENER parasheh që objektet e lojërave të fatit të mund të hapen 500 metra larg objekteve shkollore.