Macron: Do të merremi me këtë virus të paktën deri në verën e vitit 2021

Advertisment

Presidenti francez, Emmanuel Macron, të mërkurën ka deklaruar se do të ketë një “shtetrrethim katërjavor” për Parisin dhe tetë qytete të tjera franceze për të ndaluar përhapjen e COVID-19 pasi nivelet e reja të infeksioneve ditore arritën nivele rekord.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në një intervistë televizive, Macron tha se banorët e atyre qyteteve – të cilat së bashku janë shtëpia e afër një të tretës së popullsisë franceze – nuk do të lejohen të qëndrojnë jashtë nga ora 21:00 deri në 6:00 që nga e shtuna, për një kohëzgjatje prej të paktën katër javë, me përjashtim të arsyeve thelbësore.

Reklame

“Ne duhet të veprojmë. Ne duhet të vendosim një frenim në përhapjen e virusit”, citohet të ketë thënë Macron, duke shtuar se masa do të ndalonte njerëzit të vizitonin restorantet dhe shtëpitë private në mbrëmje dhe natën vonë.

“Ne do të duhet të merremi me këtë virus të paktën deri në verën e vitit 2021”, ka thënë më tej Macron, duke thënë “të gjithë shkencëtarët” ishin në një mendim në këtë pikë.

Ai tha se rastet e reja të përditshme të coronavirusit duhet të ulen në “3,000 ose 5,000”, nga nivelet aktuale, të cilat kanë arritur deri në pothuajse 27,000.

Përveç Parisit dhe rajonit të tij, Grenoble, Lille, Lyon, Marseille, Montpellier, Rouen, Saint-Étienne dhe Toulouse ishin në shënjestër të masave, tha Macron.

Kjo do të thoshte që rreth 20 milionë njerëz do të preken nga një popullsi totale prej rreth 67 milionë. /Telegrafi/