Makfire Shaqiri nga Shkupi, shoferja e vetme femër në Maqedoni (VIDEO)

Advertisment

Në Maqedoninë e Veriut ka shumë profesione të veçanta që i bëjnë femrat. Por vetëm një është shofere e autobusit. Ajo është Makfire Shaqiri, 47-vjeçarja e cila po sfidon një profesion që perceptohet kryesisht mashkullor.

Makfirja është e përpiktë në punë. Çdo ditë vjen në orarin e saktë dhe merr linjën e përcaktuar të autobusit urban. Por nuk nis as edhe një hap pa i bërë kontroll të detajuar autobusit me të cilin do të transportojë qindra qytetarë gjatë ditës.

Reklame

“Duhet ta duash profesionin. Kjo është shumë me rëndësi. Nuk ka asnjë punë të lehtë, sepse nuk është vetëm të vozisësh. Në qytet është vështirë sepse Shkupi është qytet i madh. Ka shumë udhëtarë dhe komunikacion. Jo njëherë t’i hapësh dyert. Të renditesh mirë afër trotuarit që udhëtarët të zbresin dhe të hyjnë të sigurt. Kjo është punë me shumë përgjegjësi. Duhet të kesh shumë kujdes. Por nëse e do profesionin, gjithçka duket bukur”, – thotë 47-vjeçarja.

Makfiren tashmë e njohin të gjithë, por kur kishte nisur profesionin e kishin parë me dyshim.

“Në fillim ka pasur raste kur udhëtari ka zbritur kur më ka parë mua që jam femër. Më ka thënë, ndalu pak se nuk jam i sigurt me ty. Ka pasur edhe nga këto raste. Por, tani me kalimin e kohës, ne femrat jemi më të kërkuara pasi jemi më të kujdesshme kur frenojmë, ndalemi kur vozisim. Kur kam, për shembull, nënë me fëmijë, unë e ndal autobusin dhe derisa ajo të hipi dhe të ulet në karrige nuk vazhdoj”, – thotë Makfire Shaqiri.

Nënë e një djali 16-vjeçar, Makfirja asnjëherë s’e kishte parë veten në një tjetër profesion përveç se të drejtojë një autobus. Madje, gjëja e parë që kishte mësuar të ngasë që në moshë të re, kishte qenë traktori i prindërve të saj në fshat.