Maliqi: Konjufca foli ndryshe nga Kurti, e kuptoi dëmin që iu bë raporteve Kosovë-ShBA

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe numri dy në Lëvizjen “Vetëvendosje” pas Albin Kurtit, Glauk Konjufca, në një intervistë në RTV Dukagjini ka thënë se nuk beson dhe se është gabim të thuhet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë prishur qeverinë e fundit të Kosovës. Majde Konjufca, ndryshe nga lideri i partisë, nuk beson që Richard Grenell-i ka pasur dorë në rrëzimin e Kurtit. Sipas tij, një konstatim i tillë është vetëm interpretim i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një çasje e tillë e kryediplomatit kosovar karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga analisti dhe njohësi i politikës ndërkombëtare, Agon Maliqi, po shihet si një reflektim karshi pasojave diplomatike që ka shkaktuar përplasja e Kurtit me emisarin e Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Maliqi thotë se me gjasë, Konjufca e ka kuptuar dëmin që u është bërë raporteve Kosovë-ShBA dhe thotë se kritikat e tij janë si rezultat i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së tij si personalitet.

“Glauk Konjufca i ka kuptuar me gjasë më mirë pasojat diplomatike dhe politike të kësaj qasjeje dhe kritikat e tija të tërthorta janë në përputhje me karakterin e tij më të pavarur dhe natyrën e tij më të përgjegjshme të dëshmuar prej vitesh”, ka thënë Maliqi për Gazetën Express.