Maqedoni-Kosovë, do të zhvillohet në tetor ose nëntor?!

Advertisment

UEFA zhvilloi video takimin me sekretarët e Federatave Futbollistike, e në mesin e tyre edhe atë të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Fillimisht të gjitha federatat anëtare i përshëndeti presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, i cili i falënderoi ato për masat e ndërmarra në luftimin e pandemisë “Covid-19” dhe për kujdesin e treguar ndaj komunitetit të futbollit.

Tema e parë e diskutimit ishte zhvillimi i ndeshjeve të kombëtareve në Ligën e Kombëve, në muajt shtator, tetor dhe nëntor, si dhe ndeshjet e ‘play-off’-it për Kampionatin Evropian. Fillimisht ishte paraparë që ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë dhe ndeshjet e tjera të “play-off”-it të luheshin në shtator, por të gjitha federatat pjesëmarrëse të këtij ‘play-off”-i e shprehën qëndrimin e tyre që ato të luhen në tetor ose nëntor, për çka tashmë i mbetet Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që në mbledhjen që do të mbajë të enjten të del me qëndrimin përfundimtar.

Reklame

Temë e dytë e diskutimit ishte çështja e rifillimit të kampionateve dhe ndeshjet parakualifikuese për edicionin e ri në Ligën e Kampionëve dhe Ligën Evropa. UEFA u dha afat federatave që kampionatet t’i përfundojnë deri më 20 korrik. Gjithsesi, rifillimi i kampionatit do të varet nga ecuria e pandemisë “Covid-19” dhe gjendja e përgjithshme e shëndetësisë.

Gjatë kësaj video-konference është diskutuar edhe çështja e futbollit të femrave, si dhe e grupmoshave U-21, U-19 dhe në futsall, ku shumica e ndeshjeve pritet të shtyhen, por disa do të luhen në kohë të përshtatshme.

Ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës Evropa do të vazhdojnë garat, pasi janë burimi kryesor i të ardhurave, mirëpo të gjitha në fillim do të zhvillohen pa praninë e shikuesve