Maqedoni: Temperaturat e larta, çojnë në dehidrim

Advertisment

Moti me diell dhe temperaturat e larta të muajit gusht mund të shkaktojnë dehidrim, në rast se trupi ka humbur më shumë ujë se sa ka konsumuar. Dietologia, Valbona Kadriu tha për Alsat se mungesa e ujit në organizëm shkakton çrregullim total të funksionimit të tij ndërsa pasojat mund të jenë të rënda. Përveç ujit, faktorët tjerë që ndikojnë në dehidrimin e trupit janë mënyra e të ushqyerit dhe aktiviteti fizik.

“Për trupin është një humbje jashtëzakonisht e madhe, atëherë përveç se mund të kemi marramendje ose vjellje, mund të arrijmë edhe situata më të rrezikshme, mund të kemi edhe humbje të vetëdijes për atë edhe rekomandohet që përveç ikjes të qëndrimit në diell ose temperature të larta, të kemi edhe një hidratim të vazhdueshëm të trupit. D.m.th gjatë tërë kohës ne ti japim ujë trupit që trupi të ketë mjaftueshëm. Dhe, kur flasim për hidratim mos të harrojmë që duhet të kemi 1.5 deri në 2 litra ujë minimum në ditë dhe kjo sasi çdo herë duhet të rritet”, tha Valbona Kadriu, dietologe.

Reklame

Qytetarët që anketuam në rrugë thanë se nuk kishin përjetuar një gjendje dehidrimi. U përgjigjën se mundohen të konsumojnë disa litra ujë në ditë.

“Po, sigurisht, uji është më se i nevojshëm. Gjatë ditës pijë 2 deri në 3 litër ujë”.

“Pijë shumë ujë gjatë ditës, 5 deri në 6 litër”.

Ata që nuk mbanin shishe uji me vete, u drejtoheshin shatërvanëve për t’i siguruar trupit ujë të mjaftueshëm.

“Unë kur dal, çdo herë e mbaj shishen me vete. Çdo herë pi ujë për këtë kohë të nxehtë që e kemi”.

“Gjatë ditës mundohemi nga 2 litër ujë t’i pimë. Pi shumë, sepse është edhe nxehtë. Prej ujit, normal njeriu freskohet”.

Sipas dietologes Kadriu, një person i dehidruar, përveç ujit, këshillohet të konsumojë pemë dhe perime, të shmanget përdorimi i lëngjeve me sheqer apo me gaz, të mos përdoret qumështi dhe produktet e tij. Ndërsa, për moshat e vogla këshillohet dhënia e ujit të vluar pas çdo 5 ose 10 minutave./Alsat/