Maqedonia e gatshme të luftojë krah NATO-s kundër Rusisë, Kroacia jo

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Slavjanka Petrovska, është shprehur se ka mundësi që ushtria e vendit të saj të përfshihet në një luftë të mundshme mes NATO-s dhe Rusisë, nëse paraprakisht sulmohet Ukraina.

Sipas saj, Maqedonia e Veriut është për zgjidhje diplomatike të kontestit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por ekziston mundësia që të përfshihet në ndonjë luftë të mundshme, nëse NATO-ja kërkon diçka të tillë.

Reklame

Një veprim i tillë, sipas saj, do të ishte i mundur vetëm me pëlqimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Steve Pendarovski.

Maqedonia është pjesë e NATO-s prej vitit 2020.

Por qëndrim krejt të kundërt ka Kroacia, po ashtu një anëtare e NATO-s apo të paktën presidenti i saj.

Presidenti Zoran Milanoviq, ka thënë se nëse vjen deri te lufta, Kroacia do të tërheq të gjithë ushtarët e saj.

“NATO po e rrit praninë e saj, ne nuk duhet të bëjmë asgjë për këtë. Nëse ka një përshkallëzim, ne do të tërheqim edhe ushtarin e fundit kroat. Kjo nuk ka të bëjë fare me Ukrainën, por me politikën e Joe Bidenit, unë shoh mospërputhje dhe sjellje të rrezikshme. Ka mënyra tjera për të ndihmuar Ukrainën”, tha Milanoviq.

Ai ka akuzuar presidentin e SHBA-së, Biden se po vepron nën trysninë e republikanëve, që ai i ka quajtur skifterë.

“Unë shoh një interes të fortë rus, shoh edhe Ukrainën. Ajo nuk e ka vendin në NATO. Ajo është një prej shteteve më të korruptuara në botë dhe për këtë Kroacia nuk do të marrë pjesë”, tha Milanoviq sot para gazetarëve në Zagreb.

Ai ka akuzuar edhe kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, që është rreshtuar me Perëndimin sa i përket krizës së Ukrainës.

Me Perëndimin janë rreshtuar edhe Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia, por jo edhe Serbia e Bosnjë-Hercegovina.

Rusia ka kohë që ka stacionuar mbi 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën dhe shtetet perëndimore besojnë se nga dita në ditë pritet sulmi mbi këtë vend. Bota demokratike në krye me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe tashmë kanë nisur t’i dërgojnë ndihmë ushtarake Ukrainës për t’u mbrojtur.

Rusia kërkon nga NATO garanci se Ukraina nuk do të bëhet kurrë pjesë e kësaj aleance.