Maqedonia e Veriut me Kryeministër shqiptar, arrihet marrëveshja LSDM-BDI

Advertisment

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kanë arritur marrëveshje për formimin e koalicionit qeverisës. Maqedonia e Veriut do të ketë për herë të parë një kryeministër shqiptar sipas marrëveshjes.

Ahmeti në një deklaratë për mediat i shoqëruar nga Zaev tha se, kjo është një ditë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut pasi vendoset për qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme.

Reklame

Ai tha se, duke qenë se vendi ndodhet në një situatë të rënduar për shkak të COVID-19, nevojitet që sa më shpejt të konstituohet qeveria e re.

“Jam shumë i bindur që ky vendim që sot ne marrim, mirëpritet nga çdo qytetar i vendit. Sigurisht që mirëpritet edhe nga partnerët tanë, të cilët kanë ndihmuar që vendi ynë të jetë në rrugë të mbarë integruese”, tha Ahmeti.

Për premtimin e bërë gjatë fushatës për zgjedhjen për herë të parë të një kryeministri shqiptar në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Ahmeti tha se është rënë dakord që kjo të realizohet vetëm për 100 ditë gjatë qeverisës LSDM-BDI.

“Çështja e kryeministrit është një çështje që na ofron dhe ne marrim përgjegjësi që të kemi një republikë më të fortë dhe më të qëndrueshme me qytetarë të bashkuar. 100 ditë do të jetë një shqiptar i propozuar për kryeministër të vendit nga BDI”, deklaroi Ahmeti.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, koalicioni mes LSDM dhe BESA siguroi 46 deputetë, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E majta dy dhe PDSH-ja 1.