Maqedonia jep kredi për bizneset pa kamatë, por ja kushtet

Advertisment

Nga e mërkura kompanitë do të mund të aplikojnë për linjën e dytë kreditore pa normë interesi të quajtur Kovid-2, me vlerë të përgjithshme prej 8 milion eurove, informoi ministrja e financave, Nina Angellovska dhe drejtori i Bankës zhvillimore, Kire Naumov. Për dallim të linjës së mëparshme që kishte të bëjë vetëm me kompanitë hiotelerike dhe turistike, për këto kredi mund të aplikojnë të gjithë kompanitë e vogla dhe të mesme. Shuma maksimale e kredisë do të varet nga numri i të punësuarve.

“Vlera maksimale e kredisë në këtë linjë do të jetë 90 mijë euro dhe është për 3 herë më e lartë në krahasim me linjën e parë kreditore, kurse vlera minimale e kredisë mbetet 3.000 euro. Shuma do të përcaktohet sipas numrit të të punësuarve, të cilët kompania i ka pasur deri më 31 janar. Kështu që rroga minimale do të shumëzohet me numrin e të punësuarve dhe me 3 muaj”, tha Nina Angellovska, Ministre e Financave.

Reklame

Për këtë kredi nuk ka normë interesi, shpenzimet e aplikimit ndaj Bankës për zhvillim nuk do të paguhen. Afati i pagesës është deri më 3 vite, me grejs periudhë prej 1 viti, ndërsa sigurimi është me kambinal.

“Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim në pjesën më të madhe ngel njëjtë si në Kovid-1. Theksoj se nuk duhet harruar mikro kompanitë, respektivisht duhet të dihet se formula nuk do të vlejë edhe për kompanitë që kanë më pak se 5 të punësuar. Ato do të mund të aplikojnë për shumën prej 3.000 eurove pa pasur parasysh që formula paraprake për kaq të punësuar nuk e arrin këtë nivel”, tha Kire Naumov, Drejtor i Bankës për Zhvillim.

Në lidhje me atë se kur kompanitë do të fillojnë të punojnë dhe në çfarë mënyre do të punojnë objektet hotelierike, ministrja e financave, Nina Angellovska, u përgjigj se po punohet në rihapjen e ekonomisë hap pas hapi dhe me shumë gjasa kjo do të fillojë të ndodhë në pjesën e dytë të majit.

“Ka ekip të formuar i cili punon bashkë me agjentët ekonomikë, me odat ekonomike, me departamentet ekonomike, me Ministrinë e Shëndetësisë, me epidemiologët, me qëllim që të dilet me një plan i cili do të tregonte se si do të zhvillohet hapja dhe cilët do të jenë sektorët që gradualisht do të priten të hapen, por edhe të dinë të përgatiten për protokolle të caktuara”, tha Nina Angellovska, Ministre e Financave.

Në seancën qeveritare pritet të kalojë edhe propozimi për bastore online. Në këtë veprimtari punojnë rreth 8 mijë persona, tha ministrja Angellovska. Njëkohësisht ajo theksoi se pikërisht nga ky sektor sigurohen rreth 40 milion euro në buxhet në bazë të shpenzimeve shtesë.