‘Marca’ ngre në qiell, Armando Broja feston me shqiponjë

Armando Broja u rrit në akademinë e famshme “Cobham” të Chelsea, por po bën emër te Southampton, ku aktualisht po kalon sezonin i huazuar. Kështu shkruan prestigjiozja sportive spanjolle “Marca”, e cila vazhdon:

Goli i 20-vjeçarit në fitoren 4-1 ndaj Brentford, të martën mbrëma, e pa Brojën të bëhet lojtari më i ri në historinë e Premier League, që shënon në secilin prej katër ndeshjeve si startues në shtëpi. Tani duket se Southampton dëshiron ta blejë atë përfundimisht gjatë verës.

Reklame

“Ai e do mjedisin këtu dhe do të ishte mirë nëse do të bëhej përfundimisht lojtari ynë, – tha trajneri i Southampton, Ralph Hasenhuttl për “Athletic” pas ndeshjes. – Ai dëshiron të jetë me ne, kështu mendoj. Ju mund ta kuptoni këtë në çdo moment, edhe fansat e duan atë”.

Diego Costa i radhës

Broja shpesh është cilësuar si zëvendësuesi ideal i ish-sulmuesit të Chelsea, Diego Costa, për shkak të fuqisë dhe paraqitjeve shpërthyese të tij. Ndërkombëtari shqiptar ndihet krenar që është bërë lojtari i fundit më i ri, që ka shënuar në katër starte radhazi në shtëpi, si dikur Diego Costa.

Ashtu si spanjolli i lindur në Brazil, Broja ka një aftësi për të shënuar gola të rëndësishëm. Deri më tani, këtë sezon, ai ka realizuar pesë gola me Southampton. Skuadra ku është huazuar nuk ka humbur asnjë nga ndeshjet ku Broja ka shënuar.

Sulmuesi i Southampton shënoi për herë të parë në fitoren 1-0 ndaj Leeds në tetor 2021. Që atëherë, Broja ka shënuar në barazimet kundër Burnley (2-2), Brighton (1-1), Crystal Palace (2-2), si dhe në fitoren e fundit 4-1 kundër Brentford.

Çfarë e pret Brojën?

Nëse Broja vazhdon me këtë formë të shkëlqyer, ai do të ketë shumë kërkesaj të mundshme në fund të sezonit. Është ende e paqartë nëse Chelsea dëshiron që të kthehet në klub, apo nëse do të kërkojë të fitojnë para nga shitja e tij.

Duke pasur parasysh opsionet e mëdha sulmuese te Chelsea, gjasat janë që ai të largohet në një periudhë tjetër huazimi, ose të shitet përgjithmonë. Pas një fillimi kaq mbresëlënës për “Saints”, nuk është çudi që shqiptari të qëndrojë në “St Mary’s” shumë kohë pas këtij sezoni.

Tifozët e Southampton do të shpresojnë që Broja të mbetet pas huazimit të këtij sezoni dhe të jetë pjesë integrale e një të ardhmeje potencialisht emocionuese.