Marrëveshja e paqes Ukrainë-Rusi do përfshijë territore, Kievi duhet të vendosë sa mund të lëshojë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të dielën se aleanca e udhëhequr nga SHBA synon të forcojë pozicionin e Ukrainës në tryezën e bisedimeve, por shtoi se çdo marrëveshje paqeje do të përfshinte kompromise, duke përfshirë edhe territorin.

Stoltenberg foli në bisedimet e Kultaranta në Finlandë, pas një takimi me presidentin finlandez Sauli Niinisto. Ndërsa shefi i NATO-s tha se Perëndimi ishte i gatshëm të ‘paguante një çmim’ për të forcuar ushtrinë ukrainase, Kievit do t’i duhet t’i bëjë disa lëshime territoriale Moskës në mënyrë që t’i japë fund konfliktit të tanishëm.

“Paqja është e mundur.” – tha ai.

“Pyetja e vetme është se çfarë çmimi jeni të gatshëm të paguani për paqen? Sa territor, sa pavarësi, sa sovranitet jeni të gatshëm të sakrifikoni për paqen?”

Stoltenberg nuk sugjeroi se cilat kushte duhet të pranojë Ukraina, duke thënë se ‘u takon atyre që paguajnë çmimin më të lartë ta bëjnë atë gjykim’, ndërsa NATO dhe Perëndimi vazhdojnë t’i furnizojnë ukrainasit me armë për të ‘forcuar pozicionin e tyre’ kur përfundimisht të arrihet një zgjidhje e negociuar.

Sekretari i Përgjithshëm nuk miratoi drejtpërdrejt lëshimin e territorit ukrainas, por ai solli shembullin e Finlandës, e cila ia dha Karelian Bashkimit Sovjetik si pjesë e një marrëveshjeje paqeje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Stoltenberg e përshkroi zgjidhjen finlandeze-sovjetike si ‘një nga arsyet pse Finlanda ishte në gjendje të dilte nga Lufta e Dytë Botërore si një komb i pavarur sovran’.

Deklarata e Stoltenberg vjen mes ndjenjës në rritje se Ukraina së shpejti mund të shtyhet për një marrëveshje paqeje nga mbështetësit e saj perëndimorë. Ndërsa zyrtarët amerikanë dhe britanikë këmbëngulin publikisht se Ukraina ‘mund ta fitojë’ luftën e saj me Rusinë, një raport i fundit i CNN sugjeron se zyrtarët në Uashington, Londër dhe Bruksel po takohen pa homologët e tyre ukrainas në një përpjekje për të planifikuar një armëpushim dhe zgjidhje paqeje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pohuar gjithashtu se palët e huaja të paidentifikuara janë përpjekur të ‘na shtyjnë’ drejt një marrëveshjeje, pasi publiku në vendet që mbështesin Ukrainën po ‘lodhet nga lufta’.