Masat sociale, s’ka marrëveshje mes BDI-së e Carovkës

17

Nuk ka marrëveshjes mes BDI-së dhe Ministres Milla Carovska. Partia e Ali Ahmetit kërkon nga Qeveria që t’i tërheqë tre ligjet nga fusha sociale që i dorëzoi në Kuvend. BDI-ja kërkon nga qeveria të dorëzohen ligje të reja, të korrigjuara të cilat i harton ministria e Carovskës. Shprehen se Ndryshimet e Ligjit për mbrojtje sociale, Ligjit për pension social dhe Ligjit për mbrojtje të fëmijëve nuk janë në përputhje me premtimet që janë bërë në programin e Qeverisë. Kërkojnë që të saktësohen termet amvisëri dhe familje për marrjen e ndihmës sociale.

Ndihmë shtetërore për fëmijë të tretë të ketë të drejtë të marrë nëna e cila ka të ardhura të përgjithshme mujore deri në pagën mesatare, e jo minimale siç propozon Qeveria. Pensioni social të ndërlidhet me të gjithë personat mbi moshën 65 vjeçare dhe që jetojnë 20 vitet e fundit në shtet, pa marrë parasysh të ardhurat që i ka bashkëshorti i tyre, gjegjësisht të ndërlidhet me të dy. Nga partia shprehen se Qeveria duhet të bëjë dallim mes masave sociale dhe demografike.

Sipas asaj që e shqyrtuam në këtë Ligj, që të merret ndihmë sociale në të ardhmen, shfrytëzuesi i ndihmës sociale duhet të merret më shumë me dokumentacionin sesa me atë që do t’i shërbejë si ndihmë sociale prej 4.000 ose 6.000 denarëve, sado që të jetë. Aq janë kufizuese elementet për të marrë ndihmë sociale, dhe e dyta, mendojmë se disa gjëra bëhen qëllimisht, ndoshta edhe që të mos merret ndihma sociale. Pra, t’i përkufizojmë gjërat rreth amvisërisë dhe familjes, që është masë demografike për ligjin për fëmijë, që është ndihmë sociale. Dhe këtu ne nuk pajtohemi- deklaroi Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së.

Derisa BDI-ja pret ndryshimin e ligjeve, nga Kabineti i ministres Carovska shprehen se presin amendamente të ligjeve të propozuara.

Paket ligjet nga reforma sociale që janë me flamur evropian janë miratuar në seancë qeveritare dhe tashmë janë dërguar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Presim që ligjet të hyjnë në procedurë në sesionin e radhës të Kuvendit dhe në këtë procedurë deputetët e BDI-së të parashtrojnë amendamentin e paralajmëruar- thanë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Në opinion kishte zëra se për këtë paket të ligjeve për shkak të kontestit me BDI-në, madje është i mundshëm edhe shkarkimi i ministres Carovska. Kryeministri Zoran Zaev dje i mohoi spekulimet e këtilla. Tha se është arritur marrëveshje për Ligjin për mbrojtje sociale në raport me përkufizimin e familjes, por jo edhe për kërkesat tjera të BDI-së./alsat/