Maska nuk ka, doreza vetëm në disa barnatore, Qeveria e ndërpreu taksën doganore dhe ngriu çmimet

Zhvillimi i virusit COVID-19 ka bërë që maskat dhe dorezat të jenë ndër produketet më të kërkuara në vend.

“Luftimi i koronavirusit duket se ka vënë në deficit dorezat dhe maskat në Maqedoninë e Veriut. Disa barnatore që i vizitoi ekipi i TV 21 nuk kishin maska, për të cilën arsye edhe ne nuk arritëm të blemë për të vendosur. Ndërkaq, vetëm në njërën nga 3 barnatore që i vizituam kishin pasur doreza të këtij lloji të madhësisë M apo medium, ndërkaq çmimi varionte prej 3 deri në 5 denarë”, Fatbardhë Curri – Gazetare Tv21.

Maskat nuk gjenden fare në barnatore, e kurse dorezat gjenden në disa prej tyre, por me një shtrejtim të lehtë të çmimit.

TV 21: A keni maska dhe doreza?
Shitësja: Maska jo, doreza… Po, doreza ka.
TV 21: Çfarë madhësie?
Shitësja: Vetëm M (medium)

Edhe një blerëse tjetër, hyri duke pyetur se çfarë produktesh kishin. Maska, doreza?

Blerësja: Çfarë keni tash? Maska, doreza, diçka tjetër….
Shitësja: Kemi doreza dhe mjete dezinfektuese.
Blerësja: Prej cilit keni dezinfektues

TV 21: E maska pse nuk ka?
Shitësja: Në përgjithësi nuk ka në tërë shtetin. Sa prej saj? 10 doreza apo 5 palë?
TV 21: Po, pesë palë.
Shitësja: 35 denarë…

TV 21: Doreza dhe maska?
Shitësja: Nuk ka.
TV 21: Nuk ka?! Prej kur nuk ka?
Shitësja: Nga e shtunja..
TV 21: E kur pritet t’i siguroni sërish?
Shitësja: Ne porosisim vazhdimisht, por nuk arrijmë të sigurojmë…

Maskat dhe dorezat kryesisht importohen nga jashtë vendit dhe prandaj Qeveria ka vendosur të largojë taksën e importit të tyre dhe t’i ngrijë çmimet. Do të llogaritet çmimi i 30 janarit dhe ai do të jetë në fuqi deri më 30 prill të 2020-s.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njoftoi se dogana për 13 produkte medicinale do të ndërpritet për 100 për qind.

“Në koordinim edhe me institucionet tjera, ne si Ministri dje i propozuam Qeverisë ku edhe u miratua propozimi ynë, të largojmë normën doganore për 13 produkte medicinale që importohen si material i shpenzueshëm mjekësor. Me këtë vendim, dua t’i njoftoj importuesit se ndërpritet 100 për qind dogana për produktet medicinale të cilat janë më të njohura për publikun”, tha Bekteshi.

Qeveria ka marrë edhe masa të tjera, siç janë:

NGRIHEN ÇMIMET PËR MASKA MJEKËSORE

HIQEN TAKSAT DOGANORE PËR DEZINFEKTUES, MASKA, DOREZA DHE SYZE MBROJTËSE

KUOTË E VAZHDUAR PËR IMPORT PA TAKSË PËR MISH TË DERRIT

NDALOHET HAPJA APO FILLIMI I RASTEVE TË FALIMENTIMIT

AGJENCITË E TURISTIKE DO TË MARRIN VAUÇERË PËR ARANZHMANET E ANULUARA

Paraprakisht, Qeveria ka ngrirë edhe çmimet në markete, të limonave dhe portokajve, ndërkaq ka ndërprerë eksportin e miellit.