Maskat të obligueshme në hapësira të mbyllura, mundet edhe faculetë ose shall

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe vlerëson se bartja e maskës mbrojtëse do të bëhet shprehi. Virusi, siç tha, nuk do të zhduket pas pikut të parë, por do të zgjasë deri në gjetjen e vaksinës gjë që pritet në vitin 2021. Deri atëherë të gjithë duhet ta modifikojnë mënyrën e sjelljes dhe t’i përdorin të gjitha masat e mbrojtjes që të parandalohet përhapja e mëtutjeshme e virusit.

Ai sonte në emisionin “Top tema” ku u kyç onlajn për shkak se është në vetizolim, përsëriti se sipas analizave piku pritet kah fundi i prillit dhe se numri i të sëmurëve do të lëvizte afro 2.000.

“Virusi nuk do të zhduket. Vendet e përgatisin sistemin shëndetësor për ndonjë pik të ri në vjeshtë. Atëherë kemi rrezik serioz krahas pacientëve të sëmurë nga Kovid-19, të kemi edhe numër shtesë të pacientëve të sëmurë nga gripi sezonal. Domethënë, ky rrëfim nuk do të përfundojë pas pikut të parë, do të zgjasë. Sipas gjitha gjasave do të përfundojë me vaksinën e cila shpresoj se do arrijë deri në vitin 2021, por deri atëherë të gjithë duhet ta modifikojmë mënyrën e sjelljes dhe t’i përdorim të gjitha masat e mbrojtjes me qëllim që ta parandalojmë përhapjen e virusit”, tha Filipçe.

Për bartjen e maskave mbrojtëse, theksoi se ato detyrimisht do të barten në hapësira të mbyllura ku është rreziku është më i madh që të mbahet distanca fizike, ndërsa në hapësira të hapura do të barteshin nëse nuk mundet të sigurohet distanca e rekomanduar fizike.

“Po vijon vlerësimi i asaj se sa maska ka në dispozicion në shtetin tonë. Edhe një rrethane tjetër lehtësuese është se nuk duhet të bartet maskë kirurgjikale, por vetëm ,mbulesë ose shall me çka pengohet transmisioni i virusit. Për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve do ta ndërmarrim obligimin që të sigurojmë maska. Vlerësoj se kjo nuk do të jetë ndonjë sfidë. Madje tani e shohim se qytetarët me vetiniciativë bartin maska, veçanërisht në hapësira të mbyllura”, tha Filipçe.

Sa i përket propozimit të ministrit Çulev për kufizimin e lëvizjes, Filipçe tha se për oraret mund të bisedojnë në mbledhjen e ardhshme qeveritare, por se propozimet për shkurtimin e orës policore, masat për kufizim të lëvizjes së më të moshuarve dhe më të rinjve dhe bartja e maskave mbrojtëse shkojnë bashkë në pako sepse vetëm kështu mund të japin efekte. fc/