Qeveria miraton vendime për orarin e punës së qendrave tregtare, dhe disa ndryshime tjera

Në seancën e 65-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u vendos vazhdimi i masës për lirimin nga puna për nënat që kanë fëmijë të moshës nën 10 vjeç, ose në klasën e katërt. Gjithashtu Qeveria vendosi që qendrat tregtare të punojnë deri në ora 22:00, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e RMV-së në seancën e 65-të miratoi Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Protokollit për punën e rregullt në qendrat tregtare, ashtu që orari i punës në këta objekte është përcaktuar në periudhën prej 10:00 deri në ora 22:00, ashtu që e Diela mbetet ditë jo-pune”, raportojnë nga Qeveria.

Reklame

Qeveria solli gjithashtu Protokoll për funksionimin e auto-kampeve në atë mënyrë që e parandalon përhapjen e virusit korona.

Në seancë Qeveria solli Protokoll edhe për menaxhimin gjatë kohës së provimit klasifikues të nxënësve që kanë interest të regjistrohen në shkollat e mesme në klasat ku mësohet gjuha gjermane me gjashtë orë në javë, në klasat me mësim dygjuhësor dhe në klasat ku realizohet programi Matura Ndërkombëtarë në gjimnazin “Josip Broz Tito”.

Në këtë seancë u miratua Protokolli edhe për maturën shtetërore e cila është për studentët që në vitin e kaluar shkollor e kanë kaluar provimin nga matura shkollore ose provimi përfundimtar katërvjeçar, dhe janë paraqitur për provimin e maturës shtetëror në vitin shkollor 2019/2020.

Gjithashtu në seancë u vendos që Qeveria të mos ankohet në lidhje me gjykimin e Strasburgut që e fituan qytetarët për sistemin e ngrohjes.