Mbi 100 mijë qytetarë kanë ngelur pa rroga dhe pensione për shkak të mbylljes së bankës Eurostandard

Advertisment

Mbi 100 mijë qytetarë që marrin rroga, pensione dhe ndihma sociale në bankën Eurostandard kanë ngelur pa to, për shkak të mbylljes së kësaj banke, përcjell INA.

Ata nuk do të mund të tërheqin paratë për nevojat e tyre, për shkak se i janë bllokuar llogaritë. Siç mësohet ata mund të shpresojnë në tërheqjen e parave vetëm në një afat pas 20 ditëve. Qytetarët që kanë shfrytëzuar shërbimet në këtë bankë, duhet të regjistrohen në ndonjë tjetër, që të mos humbasin kohë dhe paratë e tyre t’i transferohen në atë bankë ku janë të regjistruar.

Reklame

Ata fillimisht duhet të marrin një vërtetim nga banka dhe më pas ta njoftojnë Fondin pensional, enti social apo punëdhënësit.

Ata që kanë kredi, duhet të presin që të hapet procedura e falimentimit. Dhe pas 30 ditëve ata sërish do të duhet të fillojnë të shlyejnë obligimet. Kreditë duhet të kthehen të plota, shuma totale dhe se për këtë ngarkesë qytetarët apo kompanitë duhet të drejtohen tek bankat e tjera, që do ti marrin obligimet dhe do të japin kreditë e tyre.

Drejtori i Fondit për sigurimin e depozitave ka qetësuar qytetarët duke theksuar se ata që kanë depozita apo kursime deri në 30 mijë euro, do të dëmshpërblehen, pra do t’i kthehen paratë. Sipas fondit, mbi 99.4% të deponentëve kanë depozita me vlerë nën 30 mijë euro.

Ndalimi i punës së bankës Eurostandard ka bërë që të ndërpritet edhe qarkullimi pagesor përmes Postave të Maqedonisë. Prej sot nuk mund të paguhen faturat për shërbime komunale, energji elektrike, dhe nuk do të mund të bëhet pagesa e pensioneve, ndihmës sociale, për shkak se Posta ka marrëveshje me këtë bankë. (INA)