Mbi 12 mijë qytetarë të regjistruar në Tetovë dhe Bogovinë

Prej ditës së diel sërish ka rifilluar procesi i Regjistrimit në Tetovë dhe komunat përreth, pas një ndërprerje treditore shkaku i tragjedisë në Spitalin Modular në Tetovë.

Nga Enti Shtetëror për Statistika në Tetovë njoftojnë se deri më tani, gjithsej janë regjistruar 12 mijë qytetarë vetëm në rajonin e Tetovës dhe Bogovinës. Nga Komisioni për regjistrim numër 32 që përfshinë këto dy komuna, bëhet e ditur se janë respektuar ditët e zisë, por edhe është rigjeneruar sistemi.

“Të gjitha problemet teknike janë larguar, janë evituar, mirëpo duke pasur parasysh tragjedinë në Tetovë, Komuna e Tetovës shpalli 3 ditë zi dhe neve atë kohë e shfrytëzuam për rigjenerimin e sistemit, dhe shfrytëzuam rastin që të respektojmë këta ditët e zisë dhe tash sistemi funksionon si duhet dhe regjistruesit janë në terren.

Nga informacionet që marrim nga instruktorët rajonal, procesi zhvillohet pa probleme”, tha për KOHA, Nazmi Dauti, anëtar i Komisionit për regjistrim numër 32.

Ditët që nuk ka patur regjistrim ende nuk dihet se si do të veprohet, do të kompensohen apo do të ketë shtim të orarit të punës. Këtë do ta vendos Enti Shtetëror për Statistikë, pohojnë nga Komisionit për regjistrim numër 32.

“Nuk ka pasur proces të Regjistrimit shkaku i tragjedisë që ndodhi në Tetovë dhe shkaku i intervenimit në sistemin e regjistrimit që e bëri Enti Shtetëror për Statistikë dhe tani funksionojmë pa asnjë problem. Nuk dihet se a do të kompensohen këto ditë apo si do të veprohet, sepse problemi ka qenë në nivel të shtetit.Sipas informacioneve që kemi, deri më tani, janë regjistruar nga ana e Komisionit për regjistrim numër 32 (Tetovë dhe Bogovinë) janë regjistruar përafërsisht 12 mijë qytetarë”, deklaroi Dauti.

Në ndërkohë, sipas informacioneve, gjatë kohës së kaluar janë plotësuar edhe ato vende vakante të regjistruesve që mungonin dhe tashmë numri i regjistruesve është 242 dhe të njejtit nga dita e sotme kanë dalur në terren dhe vijojnë të regjistrojnë qytetarët dhe amvisëritë.

Deri më tani nuk janë evidentuar probleme tjera sa i përket pranimit në shtëpi të regjistruesve në rajonin më të gjërë të Tetovës.

Të gjithë regjistruesit e paraqitur deri më tani kanë realizuar trajnimet e tyre dhe kanë marrë edhe laptopët e tyre për të dalur në teren por në ndërkohë ka patur probleme teknike me sistemin e regjistrimit gjë që ka bërë të ketë edhe tërheqje të regjistruesve nga ky proces. (koha.mk)