Mbi 2 milion të prekur nga Koronavirusi në botë

Advertisment

Vendimi kontradiktor i Presidentit Amerikan për të ndërprerë fondet amerikane për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ka ngjallur reagimin e kësaj të fundit. Shefi i OKB, Antonio Guteresh tha se “tani nuk është koha për të reduktuar të ardhurat për OBSH. Është koha që komuniteti ndërkombëtar të punojë në ndalimin e këtij virusi”, vlerëson Guteresh. Sipas Trampit, OBSH-ja “ka dështuar në detyrën e saj themelore; përgjigjen ndaj shpërthimit të koronavirusit”. Ai e akuzoi OBSH-në, për fshehje të përhapjes së virusit pas shfaqjes në Kinë, dhe tha se për këtë duhet të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë numri i të infektuarve në të gjithë botën nga CoVid-19 ka kaluar shifrën e 2 milionë. 128 mijë vetë kanë vdekur nga virusi, ndërsa të shëruar deri më tani janë 492 mijë persona.

Reklame

Virusi korona në të gjithë botën (15.04.2020, 12:32)

Të prekur – 2 017 174

Të shëruar – 492 019

Të vdekur – 128 011

Shteti me më shumë të infektuar dhe të vdekur në shkallë botërore është SHBA. 2,405 të vdekur brenda 24 orëve! SHBA shënoi shifrën më të lartë ditore të viktimave nga pandemia. Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka shkuar në 26,633. Ndërkohë mësohet se në SHBA janë regjistruar së paku 609,240 raste me Covid-19. Pas SHBA-së vjen Italia me 21 mijë të vdekur. Në listën e vendeve më të prekura në vendin e tretë është Spanja, me 177 mijë të infektuar dhe 18 mijë viktima. Spanja ka regjistruar një rritjen ditore më e madhe në më shumë se një javë. Spanja ndiqet nga Franca me 15 mijë të vdekur. 5-shen e parë të vendeve me numrin më të lartë të viktimave e mbyll Mbretëria e Bashkuar me 12 mijë të vdekur.

Me 285 viktima brenda 24 orëve të fundit, Gjermania shënon rekord ditor të të vdekurve nga virusi. Por vihet re se pavarësisht numrit në rritje të viktimave, vendi ka një ngadalësim të infeksioneve të reja, gjë që ka nxitur këshilltarët shkencorë të bëjnë thirrje për rihapjen e shkollave “sa më shpejt të jetë e mundur”. Një rritje të numrit të vdekjeve nga virusi ka pasur edhe në Suedi.

Teksa numërohen 300 viktima dhe mbi 6 mijë e 700 të infektuar nga koronavirusi, pas një muaji mbylljeje, Danimarka ka rihapur çerdhet, kopshtet dhe shkollat fillore.

Sllovenia ka filluar me heqjen graduale të kufizimeve. Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka njoftuar se numri i të prekurve nga covid-19 ka shkuar në 494, ndërsa është shënuar edhe viktima e 25. Në Kosovë, gjithsej të infektuar janë 387, ndërsa 69 kanë pasur sukses në shërim. Kosova regjistroi edhe viktimën e 9.

Në një studim të ri të botuar në revistën Science, epidemiologët shkruajnë se në mungesë të një vaksine ose trajtimi efektiv, distancimi shoqëror mund të jetë i domosdoshëm deri në vitin 2022 për të frenuar pandeminë COVID-19. Studiuesit shtojnë se është e rëndësishme të kuptojmë nëse SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, mund të humbasë forcën pas kësaj pandemie fillestare si shpërthimi SARS i 2003. Përndryshe, ka të ngjarë që SARS-CoV-2 të rishfaqet çdo dimër si koronaviruset e tjera, më të zakonshme. “Nëse imuniteti ndaj virusit nuk është i përhershëm, ka më shumë të ngjarë të bëhet një sëmundje që qarkullon rregullisht nëpër popullatë si gripi”, shkruajnë studiuesit.