Mbi 50 mijë italianë në karantinë

Advertisment

Në Itali më shumë se 130 persona janë prekur nga koronavirusi, pjesa më e madhe e tyre në veri të vendit. Italia, e cila ka konfirmuar të paktën dy vdekje si pasojë e virusit, ka numrin më të madh të rasteve në Evropë. Me një dekret urgjent, qeveria italiane ka marrë kompetenca të veçanta për të trajtuar situatën duke miratuar gjithashtu masa të rrepta në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit.

Policia ushtarake e pajisur me maska kirurgjikale po ruan rreth 12 qytete veriore italiane me një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh, që janë vendosur në karantinë pas një shpërthimit të koronavirusit. Policia po garanton që askush të mos hyjë apo largohet nga qytetet e izoluara e të vendosura në karantinë. Shumica e rasteve me koronavirus në Itali janë identifikuar në veri, në rajonet e Lombardisë dhe Venetos.

Reklame

Kryeministri Giuseppe Conte duke shpjeguar vendimin e qeverisë tha se u miratua menjëherë një dekret urgjent që i jep fuqi speciale qeverisë në mënyrë që të mbrojë në mënyrën më të mirë të mundshme shëndetin e italianëve.

Në dy rajonet më të prekura të Italisë të dielën janë marrë masa të rrepta, përfshirë mbylljen e shkollave, universiteteve, kinemave dhe muzeve për të paktën një javë. Gjithashtu nuk do të lejohet asnjë tubim publik apo mbatje e shërbesave kishtare, si dhe janë pezulluar të paktën katër ndeshje futbolli në kuadër të Serisë A. Në Venecia, në aeroport po kryheshin kontrolle për të gjithë pasagjerët që mbërrijnë në vend. Zyrtarët italianë të shëndetësisë po përpiqen të kuptojnë se nga e ka zanafillën përhapja e virusit në këtë vend.

Ndërkohë Koreja e Jugut ka rritur nivelin e alarmit lidhur me koronavirusit në shkallën më të lartë të tij. Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in u bëri thirrje zyrtarëve që të mos hezitojnë të marrin “masa të pashembullta e të fuqishme” siç tha ai, për t’u përballur me situatën. Qendrat e Koresë për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftuan 123 raste të reja personash të infektuar që e çon numrin e përgjithshëm në 556.

Të shtunën Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi këshilla për udhëtimet drejt Japonisë e Korenë e Jugut për shkak të shpërthimit të koronavirusit, duke u kërkuar udhëtarëve të “rrisin kujdesin” nëse vizitojnë këto vende.

Kina raportoi 648 infeksione të reja të dielën dhe një total prej 76.936, ndërsa numri i vdekje ka shkuar në 2.442. Jashtë Kinës më shumë se 1200 persona janë infektuar dhe më shumë se 12 vetë kanë vdekur.