Mbi heshtakët

Advertisment

Shkruan Arlind Fárízí

Ji heshtak, ji mesatari, i pashqetësuemi, indiferenti, dhe, heshtjen ngrije n’fat. Fatthanëse do bahet heshtja jote. S’do t’dhembi lukthi; s’do marrësh sms kërcënues; s’do t’thërrasin me no number; s’do t’prishet deti i qetësisë. Ji heshtak, se edhe ashtu, zani i reagimit ka pakëz decibelë. Edhe ata pak zane, pëllasin kot shkretinës.

Reklame

Heshtak i dashtun, i pashqetësuem i botës, je njeriu me gjithë nishanet, je patrioti i heshtun, je letrari i heshtun, je baba i heshtun, sepse fëmija ka zanin ma t’naltë se tandin, je profesor i ngratë i heshtun, madje, nuk ke emën, se s’bani kush emën se heshti, prandaj po thërret heshtja, shpirti yt, asht ndryshe nga t’tjerët: t’tjerët bluejn n’mullijt e tyne gajlet e botës, isisin, ajrin e ndotun, krizën e lexuesit, femnat ma t’bukura n’qytet, tenxheren e Markesit, gjelin e ngjushëllimit, mungesën e bukës, drogën, kazinot, politikën.

Ti je ndryshe, s’je nga këta që reagojnë. Ti nuk prishe mesataren, andaj je m’i dashtuni, m’i ndigjueshmi, ma servili, ma prepotenti…
T’pëlqen kjo gjendje e mesit, as këndej as andej, as blu as kuq, me besë apo me reformë. Kjo gjendje asht suksesi yt, pikërisht, mesi, në t’cilin vetëdëshirshëm je pozicionue t’japësh avantazhe, poste, që dhe vetë e di se s’i meriton, por ja, t’i japin. Edhe atë nga fakti i vetëm, sepse nuk reagon.

Dëgjon, rri pakëz si trup dhe sërish vazhdon. Ama, je i sukseshëm. Heshtja jote asht baraz me sukses. Edhe titujt shkencorë, me heshtje i ke marrë. Gojën s’e ke hapë as n’mbrojtje. Edhe komisioni duartrokiti heshtjen tande domethanëse, doktor heshtja. Je i madhi i shkencës. Heshtak, gjuhë t’kodueme flet, s’të kupton as Borhesi.

Libri yt ka dy kopertina dhe fletë bosh mbushë me heshtje. O letërsi e heshtjes së poetëve, ose lexues faqesh boshe.
T’promovojnë heshtak n’akademi heshtjesh, ku zani i vetëm asht ai i rrapëllimës së derës ose i ndonji take të ndonji heshtakeje.