Mbyllje, çfarë mbylljeje? Reagimi i pazakonshëm suedez ndaj koronavirusit

Përderisa pothuajse krejt Evropa është mbyllur për ta përballuar më lehtë përhapjen e koronavirusit, është vetëm një shtet që po e vazhdon jetën pothuajse në situatë krejtësisht normale.

Pas dimrit të gjatë u ngritën paksa temperaturat për t’u ulur jashtë në kryeqytetin suedez, por edhe për shumicën e vendit. Dhe njerëzit po i shijojnë rrezet e para të ngrohta të diellit nëpër tarraca kafenesh, duke folur e diskutuar lirshëm me miqtë, shkruan KOHA.

Një akullore në diell

Familjet kanë dalë për të shijuar akulloret pranë shtatores gjigante të kryezotit viking Thor në sheshin “Mariatorget”. Të rinjtë po kënaqen gjatë kohës së drekës, duke shëtitur nëpër shëtitore. Gjetkë në qytet, klubet e natës kanë qenë të hapura gjatë javës së kaluar, por prej të dielës janë ndaluar tubimet me më shumë se pesëdhjetë persona.

Krahasuar me Danimarkën fqinje, e cila ka kufizuar tubimet me më shumë se dhjetë persona, ose në Britani të Madhe, ku njerëzit nuk lejohet të takohen me të tjerët jashtë shtëpisë, Suedia po vazhdon me një sistem krejt ndryshe prej Evropës, shtetet e së cilës po përballen me shifra të frikshme të rasteve me fatalitet si pasojë e sëmundjes COVID-19, e cila shkaktohet nga një koronavirus i ri.

Epidemiologu suedez Anders Tegnell është bërë imazhi i kësaj qasje të re. I shkolluar në një nga universitetet më të mira angleze, ai thotë se qasja e tyre është ajo që nisën britanikët në fillim, kur vendosën të mos aplikojnë izolimin. Ai thotë se është i habitur se përse Anglia e ndërpreu modelin e ‘imunitetit të tufës’. Tegnell shton se Suedia po ia del dhe se ai merr rregullisht falenderime nga njerëzit. Për më tepër për atë që po ndodh në Suedi, lexoni raportazhin e mëposhtëm

Kush do e kishte menduar se Suedia do përfundonte si vendi i vetëm në Europë ku mund të dalësh për një birrë? Me normalitetin tonë, krejt papritur jemi bërë një vend ekzotik. Të tjera vende po mbyllin qytetet, shkollat dhe ekonomitë, por jeta në qoshen tonë të botës është për habi e zakonshme. Fundjavën e fundit shkova në palestër, u takova me miq dhe u ulëm në diellin e pranverës në kafenetë me verandë.

Miqtë e mi të huaj janë të habitur. Ata nuk mund ta kuptojnë se ka akoma njerëz që shijojnë frytet e civilizimit, sikur reagimi ndatyror ndaj pandemisë të ishte përqafimi i totalitarizmit. Dhe ata kanë një tjetër pyetje munduese: Si vallë Suedia përfundoi të jetë bastioni i vetëm i lirisë? Si arriti ky vend i konformistëve me sjellje të butë që të rebelohet kundër kulturës së izolimit?

Në të shkuarën, shumica e suedezëve ndjeheshin rehat me një shtet-dado që na jepte urdhra- duke na treguar edhe sa feta bukë duhet të hanim në ditë, fjala bie.

Ne shqetësohemi jo pak për Covid-19. Shumë njerëz punojnë nga shtëpitë. Restorantet janë të hapura, por nuk ziejnë nga njerëzit. Mbajtja e distancës prej dy metrash nëpër stacionet e autobusëve është diçka që suedezët e bënin shumë mirë edhe përpara krizës: ne nuk kemi nevojë për inkurajim tani. Ne jemi të kujdesshëm. Por qasja jonë ndaj luftës kundër pandemisë nis nga diçka më themelore: në një demokraci liberale, duhet të bindësh dhe jo të komandosh njerëzit. Nëse e humb këtë parim, do të humbasësh edhe shpirtin.

Stefan Loefven, kryeministri socialist i qendrës së majtë, ka hedhur poshtë zërat për një izolim, duke thënë se “ne nuk mund të ndalojmë gjithçka”. Ai nuk është një besimtar i parimeve libertariane dhe mund të sjellë masa më të rrepta. Por deri tani ai ka thënë se “të gjithë ne, si individë, duhet të marrim përgjegjësitë” dhe të mos presim që qeveria të na kyçë.