Më kërkojnë ryshfet 1 milion nuk u jap, Ish-Ministri i Financave u grind me policinë që përzuri punëtorët ndërtimorë

Advertisment

Inspektorati i Komunës Qendër bashkë me policinë i ka ndërprerë punimet ndërtimore në objektin te ish-hoteli “TCC Pllaza”. Pronari i tokës është ish-ministri i Financave, Boris Stojmenov, i cili pohon se e posedon dokumentacionin e nevojshëm për ndërtim.

“Ne kemi leje që nga viti 2016. Na shkaktuan probleme, kemi aktvendim gjyqësor nga Gjykata Administrative ku është dëshmuar se mund të ndërtohet. Dhe ja tani intervenojnë disa, gjë që është jashtë ligjit. Kjo mund të ndodhë vetëm në Maqedoni. Policia të ndërhyjë në ndërtim, kjo s’ka kuptim”, u shpreh Boris Stojmenov, pronar.

Reklame

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, thotë se komuna tashmë disa herë i ka paralajmëruar se ndërtimi po zhvillohet pa lejen adekuate.

“Hyjnë dhe punojnë pa leje. Ne si Inspektim i Komunës Qendër duhet të reagojmë në terren nëse ka punime të tilla të paligjshme”, deklaroi Sasha Bogdanoviq, kryetar i Komunës Qendër.

Stojmenov e akuzoi komunën Qendër se i ka kërkuar ryshfet për të vazhduar me ndërtim.

Boris Stojmenov: “Katër vjet. I kemi paguar shpenzimet komunale, të gjitha dhe tani nuk mund të ndërtojmë sepse kërkojnë ryshfet prej një milion eurove. Nuk u jap ryshfet, nuk u jap”.
TV21: Kush?
Boris Stojmenov: “Komuna Qendër. Kërkojnë një milion që të na lejojnë të punojmë”.

Bogdanoviq në profilin e tij në Fejsbuk, publikoi një dokument në të cilin thuhet se ka leje për rrënim, e jo për ndërtim të objektit. Ai, akuzat e Stojmenovit për ryshfet i quan spekulime, duke thënë se askujt nuk do t’i lejojë që ta njollosë emrin e tij.

“Këto janë spekulime. Nëse ka deklaratë të tillë, menjëherë do të denoncoj. E kontaktova 192, bisedova edhe me Prokurorinë që të paraqitet dhe të zbardhet rasti në fjalë”, theksoi Sasha Bogdanoviq, kryetar i Komunës Qendër.

Sipas Planit të Detajuar Urbanistik, në atë lokacion duhet të ndërtohet një objekt afarist P+6, respektivisht në 6 kate. Objekti ishte rrënuar në vitin 2018. Ndryshe, TCC Pllaza ishte ndërtuar në vendin e ish-Qendrës Tregtare “Beko”./TV21