Me kondicionerë inverterë shpenzime më të ulëta dhe ajër më pak i ndotur në Tetovë

Advertisment

Shkolla fillore “Naim Frashëri” – Tetovë, është shkolla e parë që në të ardhmen do të ketë ngrohjen nëpërmjet kondicionerëve inverterë. Këto aparate janë të vendosura si mënyrë për zvogëlimin e ajrit të ndotur në Tetovë, thonë nga vetëqeverisja lokale.

“Kjo shkollë është shkolla e parë ku inverterët janë instaluar plotësisht për të mbuluar plotësisht tërë ndërtesën, që do të thotë se kjo shkollë do të ketë emetim minimal të gazrave të dëmshëm, por gjithashtu është e rëndësishme të zvogëloj shpenzimet për ngrohje. Me të njëjtin ritëm vazhdojmë edhe në shkollat ​​e tjera publike”, theksoi kryetarja e komunës Teuta Arifi.

Reklame

Sot, ajo mori pjesë në debat me arsimtarët dhe studentët në SH.F “Naim Frashëri” për të gjetur mënyra për të ulur ndotjen dhe ulur shpenzimet e ngrohjes së shkollës. Nga përfaqësuesit e shkollës thonë se përveç instalimit të inverterëve, janë marrë masa të tjera të për kursimin e energjisë elektrike.

“Ne edhe katër vite më pare, i zëvendësuam llambat me LED, duke përgjysmuar koston e energjisë elektrike dhe duke përdorur kursimet tona për materialet shkollore. Këtë vit ne jemi në kontakt me ambasadën holandeze dhe EVN-në për vendosjen e fotovoltaikëve”, thotë drejtori i shkollës, Xhelal Alili.

Përveç kësaj shkolle, kondicionerë të tillë janë instaluar edhe në ambientet e shkollës fillore rajonale “Vëllezërit Migjeni” tek Qendra Sportive dhe në tre objekte tjera në komunën e Tetovës.