Me Lëvizjen BESA apo Alternativën, Taravari thotë se do të vendosin me cilën?!

Advertisment

Edhe përkundër këmbënguljes së Alternativës se nuk e do Lëvizjen Besa brenda koalicionit trepalësh, Aleanca për Shqiptarët si ideatore e kësaj nisme, vazhdon të përsërisë se kjo gjë mund të bëhet realitet.

“Ka vullnet të mirë. Insistojmë ende sepse nga të tre palët shohim nga një sinjal se mund të ndodhë kjo, përndryshe nuk do të kishim insistuar”, theksoi për TV21, Arben Taravari, Sekretar Gjeneral i Aleancës për Shqiptarët. Për këtë koalicion s’po insiston vetëm Aleanca por edhe faktorë të brendshëm e të jashtëm me qëllimin që ta çojnë BDI-në në opozitë, pohon Taravari për TV21, duke qenë i bindur se koalicioni trepartiak do t’u sillte fitore bindëse. “Të gjithë këto faktorë që insistojnë të jemi bashkë duan dhe mendojnë se është koha e fundit që BDI-ja të shkojë në opozitë. Kur them faktorët nga jashtë nënkuptoj shtetet shqiptare në Ballkan të cilët ne i konsiderojmë si vëllezër tanë, si miq, të cilët njësoj na e mendojnë të mirën siç ua mendojmë ne atyre”, u shpreh Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

Reklame

Mundësia që Aleanca të dalë e vetme në zgjedhje është e vogël, andaj Taravari për TV21 thotë se do të detyrohen të zgjedhin njërën parti, Besën ose Alternativën. Se cila ka shanse më të larta, nuk e thotë, por numrat i kanë të qarta nga anketat e bëra. “Ekipi ynë analitik na ka përgatitur strikt, me numra, madje edhe me votues ku e sa kemi ne dhe sa kanë partitë përkatëse, por nuk është çdo herë bashkëpunimi i bazuar në numra, thjesht ndonjëherë është edhe në kompatibilitet programor të dy partive por edhe pikësynimet të cilat i kanë këto parti”, deklaroi Arben Taravari për TV21. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës pohon se brenda një jave do të finalizohet gjithçka. Komunikimi ne të dyja partitë vazhdon. Taravari thotë se me të dyja partitë ASH ka arritur në fazë përfundimtare në aspekt të ndarjes së funksioneve, nëse në fund ideja e koalicionit tresh dështon./TV21