Me qindra pajisje që prodhojnë kryptovaluta , banorët po i lëshojnë pronat me qira (Video)

Komisioni parlamentar për Ekonomi ka marrë vendim sot që edhe për 6 muajt e ardhshëm, KOSTT t’i mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Kjo pritet t’u shkojë për shtati më së shumti personave që merren me kryptovaluta.

Reklame

KALLXO.com merr vesh se ekzistojnë me qindra e mijëra pajisje të tilla që prodhojnë valuta digjitale të vendosura në 4 komunat veriore të Kosovës. Këto pajisje shpenzojnë shumë energji.

Tash e disa kohë, rrymën e shpenzuar në veri të vendit e paguajnë institucionet shtetërore të Kosovës.

Tashmë në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan është shtrirë një rrjet i tërë i pajisjeve të tilla.

KALLXO.com ka siguruar video të pajisjeve të shumta të vendosura në një hapësirë.

Siç merr vesh KALLXO.com, banorët të këtyre 4 komunave kanë filluar t’i lëshojnë me qira pronat e tyre për ata që merren me prodhimin e valutave digjitale.

Në shkurt të këtij viti, kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani kishte deklaruar për KALLXO.com se janë duke hetuar shpenzimin e madh të rrymës që po bëhet për prodhimin e monedhës virtuale bitcoin në Mitrovicën Veriore.

Ujkani kishte deklaruar se kanë informacione se po bëhet një shpenzim i madh i rrymës në këtë pjesë për të prodhuar monedha virtuale dhe se janë në proces të identifikimit të personave që dyshohet se po merren me këtë veprimtari.