Meç fantastik na pret këtë vikend, në ring dy amerikanë të fuqishëm

17

Boksieri amerikan Dominic Breazeale, 20 fitore e 1 humbje në karrierën e tij si profesionist, beson se do ta fitojë duelin e 18 majit ndaj kampionit të botës Deontay Wilder. Dy boksierët e peshës së rëndë do të duelojnë për titullin kampion bote në kategorinë WBC, një përballje që do të zhvillohet në Las Vegas. Jo vetëm kaq, por Breazeale bën parashikimin se pasi të fitojë sfidën do të detyrojë Wilder të tërhiqet nga sporti pasi të dorëzojë titullin.

Wilder, 40 fitore e 1 barazim, është i pamposhtur në karrierën e tij. “Mendoj se pasi ta mund, ai do të tërhiqet nga sporti. Sportistë si ai e kanë ndërtuar karrierën e tyre edhe mbi nderin dhe pasi pësojnë humbjen e parë bien në depresion. Kjo do të ndodhë edhe me Wilder, që në fund do të tërhiqet dhe nuk do të duelojë më”, u shpreh Breazeale.

Breazeale, pas humbjes në vitin 2016 ndaj Anthony Joshua, ka korrur 3 fitore në përballjet e fundit dhe vjen i karikuar në këtë sfidë ndaj Wilder. “Është një boksier që flet shumë. Unë jam një rival i frikshëm për të, që ai nuk do të dëshironte kurrë ta kishte përballë. Në fund do të jem unë ai që do të qesh para fytyrës së tij, me titullin kampion”, tha Breazeale.

Meçi do të zhvillohet të shtunën pas mesnate, apo thënë më mirë në orët e para të së dielës.