Mediat italiane ngrejnë dyshine rreth kërkesave të shqiptarëve për blerje të hoteleve në Venecia

Advertisment

Media italiane “Il Gazzetino” shkruan në një artikull se kërkesa e shtuar e shqiptarëve për të blerë hotele dhe restorante në Venecia po hetohet nga autoritetet kompetente, pasi kjo gjë shihet me dyshim, shkruan TCh, përcjell albinfo.ch.

“Shqiptarët po tentojnë të blejnë gjysmën e Venecias. Ose për interes të tyre, ose për llogari të të tjerëve apo për të pastruar paratë e pista, ende nuk është e qartë”, shkruan media italiane.

Reklame

Federata e Sipërmarrësve është ajo që ka ngritur alarmin. Presidenti i saj, Roberto Magliocco, shprehet: “Çdo ditë në Venezia po mbyllen lokale, restorante e hotele duke transformuar qendrën e saj historike. E kjo është vetëm njëra faqe e medaljes, faqja tjetër është se të tjerë, e kryesisht shqiptarë, po tentojnë të blejnë bizneset e tyre”.

Mungesa e turistëve, shkaktuar nga pandemia globale, fatkeqësitë natyrore si përmbytjet që muaj më parë dëmtuan seriozisht qytetin, pezullimi i udhëtimeve me krocera, qeratë e larta që duhet të paguajnë e që shkojnë nga 9 mijë deri më 20 mijë euro në muaj, kanë çuar në vështirësi ekonomike mjaft sipërmarrës venecianë.

Pas mbylljes së gjatë nga karantina, mjaft prej tyre kanë vënë në shitje bizneset e tyre apo janë kontaktuar kryesisht nga shqiptarë që ofrohen si blerës të mundshëm. Gjatë muajve të fundit në qendrën historike të qytetit është shtuar numri i restoranteve e hoteleve në shitje.

Roberto Magliocco sqaron: “As mos mendoni se blerësit që janë ofruar janë kinezë a rusë. Janë shqiptarë që sidomos kërkojnë të blejnë në sektorin e hotelerisë. Nuk dihet nëse e bëjnë për interes personal, ose në emër të dikujt tjetër që nuk kërkon të shfaqet. Fakt është që mbi këtë fakt po hetojnë autoritetet kompentente për të kuptuar nëse pas tyre janë investime kapitalesh me prejardhje të dyshimtë a prova të riciklimit ndërkombëtar”.

Në Venecia jetojnë rreth 1,450 shqiptarë, që për nga numri renditen të katërtit mes komuniteteve të huaja, ndërsa sipërmarrës shqiptarë në këtë territor janë rreth 360, të tretit në numër pas atyre kinezë e rumunë.