Mediumi serb: Spanja po ndryshon rregullat e futbollit për Kosovën

Ndonëse është pranuar që loja të zhvillohet brenda territorit të Spanjës, spanjollët kanë thënë se Kosova nuk do të trajtohet si komb, përkatësisht si shtet i pavarur dhe sovran.

Mediumi serb, ‘Informer’ raporton se Spanja po i ndërron rregullat e futbollit, për shkak të marrëdhenieve me Serbinë.

Në fakt, shteti i Spanjës nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të problemit të kahmotshëm me Kataloninë.

FFK përmes një komunikate kanë njoftuar opinionin se nuk do të pranojnë të luajnë ndeshjen me kushtet e lartëcekura.

“Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kot dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër.

“Gjithsesi, për ne është e papranueshme kjo formë qasjeje e spanjolleve dhe menjëherë jemi vënë në kontakt me Federatën spanjolle, ku tani jemi në pritje të një reagimi të tyre të shpejtë. Nëse ata nuk do të reagojnë në këtë drejtim, atëherë ne do të jemi të detyruar të kërkojmë të drejtën tonë në UEFA, ku do të kërkojmë mbrojtje nga ky institucion, sepse jemi vend anëtar i UEFA-s me të drejta të barabarta sikurse 54 federatat tjera dhe Spanja është e obliguar të na trajtojë në atë formë“, ka shkruar FFK..