MEGJITHATË, LIRIA E FJALËS, KA KUFI!

Advertisment

Bashkim Aliu

Liria e fjalës dhe e drejta e mendimit, përfshi këtu edhe format problematike, siç janë karikaturat, ishin një nga temat më të nxehta të vitit 2020, të cilat u ndezën pas publikimit të revistës satirike franceze Charlie Hebdo, karikatura të të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Këto karikatura i prekën thellë ndjenjat e pjestarëve të fesë Islame, të cilët këtë nuk e panë thjeshtë një dukuri të zakonshme të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së mendimit, por e panë si provokim, tallje dhe fyerje të ndjenjave të një nga komunitetet më të mëdha fetare në botë. Për më tepër që gjatë gjurmimit dhe karahasimeve në fushën e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi, në kontekst të mediave, është evidente se jo çdo gjë mund të publikohet, ngase konsiderohet fyerje ndaj palëve të caktuara, bile edhe sanksionohet, siç është rasti me Holokaustin. Kjo dhe pjestarët e fesë Islame e shprehën revoltën e tyre kundër kësaj forme fyese të lirisë së shprehjes në të katër anët e botës, në mënyra të ndryshme, përfshi edhe thirrjet për bojkotimin e prodhimeve të Francës.

Reklame

Me këtë rast, duhet apostrofuar faktin se as Feja Islame, po as muslimanët të cilët e kundërshtuan këtë formë të ushtrimit të lirisë së shpehjes dhe mendimit, nuk janë, në thelb, kundër lirisë së shprehjes dhe mendimit, qoftë sipas standardeve islame, apo atyre laike jo ekstreme , por ata e kundërshtuan atë formë që e konsiderojnë fyerje, tallje dhe nëpërkëmbje të dinjitetit të njerëzve, në veçanti atyre gjërave që pjestarët e feve i konsiderojnë të shenjta. Në fakt, mbrojtja e dinjitetit të njeriut, bile edhe nëse nuk i takon kategorisë së të dërguarve të Allahut, shihet si domosdoshmëri për kohezionin dhe stabilitetin shoqëror, ndërkaq kur kjo i referohet personaliteteve të veçanta, siç janë të dërguarit e Allahut, fiton në peshë dhe merret shumë seriozisht.

Debati për lirinë e shprehjes dhe mendimit, dhe a duhet të ketë kufi, gjegjësisht cili është kuptimi i saktë i këtyre nocioneve, u zhvillua si në qarqe akademike, ashtu edhe në qarqe tjera. Pati të atillë që ishin pro lirisë së shprehjes pa limite dhe kufi, edhe pse realisht diçka e tillë nuk është reale, dhe të atillë që ishin kundër kësaj mënyre të kuptimit të lirisë së shprehjes dhe mendimit. Ata thirrën që të bëhen dallime dhe përkufizime precize të asaj që është liri e shprehjes, dhe asaj që është fyerje, nënçmim, tallje dhe denigrim. Jo rrallë u dërgjuan zëra se “për muslimanët, Franca nuk i ndryshon vlerat e veta të dala prej Revolucionit Francez dhe Iluminizmit evropian”, me çka, në një mënyrë, i fajësonin muslimanët se ende vazhdojnë me mentalitet “diktatorial”, ngase tentojnë t’ua imponojnë të tjerëve, dogmat e tyre. Me këtë qasje, ata i akuzonin muslimanët për atë që ata vetë mendonin se e mbronin, gjegjësisht lirinë e shprehjes dhe mendimit. Me pak fjalë, oratorë të shumtë që mbronin lirinë e shprehjes, harruan se edhe muslimanët kanë të drejtë të shprehen kundër kësaj forme të “lirisë së shprehjes”, dhe ta paraqesin pikëpamjen e tyre për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e mendimit. Televizionet vlonin me debate për lirinë e shprehjes, kufirin e fjalës së lirë, shenjtëritë fetare, fyerjen, akuzat dhe shumë tema tjera që lidhen për çështjen në fjalë. Analistë të ndryshëm jepnin pikëpamjet e tyre, të cilat, si zakonisht, janë reflektim i botëkuptimeve të analistit, e më pak, janë gjithpërfshirëse dhe objektive.

Por, mbaroi viti 2020, dhe erdhi viti 2021. Pikërisht ngjarjet të cilat e shënuan fillimin e këtij viti në SH.B.A., shtet ky që nga shumë shihet si “kible e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut”, e dhanë përgjigjen, gjegjësisht demantin më të fuqishëm për apologjetët e lirisë së shprehjes me të gjitha format e saj, përfshi këtu edhe ato që nga palë tjera konsiderohen fyerje dhe shkelje të shenjtërive. Me fjalë tjera, me 6 Janar të vitit 2021, mbështetës të presidentit amerikan Donald Trump, u futën me dhunë në ndërtesën e Capitolit, ku gjendet Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati i SH.B.A-ve, në shenjë revolte dhe mospajtimi me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit të vitit 2020 në SH.B.A., duke e miratuar thirrjen e presidentit Trump se zgjedhjet janë falsifikuar dhe janë manipuluar. Hyrja në Capitol ishte e dhunshme, dhe nga kjo ndërhyrje pati edhe viktima. Lajmi i pushtoi mediat në katër e botës, dhe u bë temë diskutimi jo vetëm e analistëve dhe emisioneve debative, por edhe e bisedave të njerëzve të rëndomtë në ndejet e tyre.

Mirëpo, në gjithë këtë ngjarje, pati edhe një zhvillim shumë të rëndësishëm për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e mendimit. Kështu, rrjetet e shumta sociale, bile ato më të populluara, ia mbyllën llogaritë personale presidentit Trump, me pretekst se postimet e tij nxisin dhunë, urrejtje dhe destabilizim, gjë që bie ndesh me politikat e tyre. Kështu, Twitter, Facebook, Snapchat, You Tube, etj., i mbyllën llogaritë e presidentit Trump, nga njëra anë duke e rikthyer debatin për lirinë e shprehjes, e nga ana tjetër, duke faktuar, pa kërkesë nga ana e muslimanëve, se liria e shprehjes nuk kuptohet njejtë në të gjithë proviniencën perëndimore. Oratorët “akademikë” të cilët, në rastin e karikaturave fyese ndaj personalitetit të të Dërfuarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, aq fuqishëm dhe me eufori e mbrojtën të drejtën e mendimit dhe lirinë e shprehjes, duke e mbajtur gojën plotë se këto janë vlera perëndimore, dhe se Perëndimi për këto vlera ka dhënë me miljona viktima, nuk patën guxim të thonë asnjë fjalë për atë që bënë rrjetet sociale me llogaritë e presidentit Trump. Po, nga një anë, është e qartë ngase ai i humbi zgjedhjet, dhe fitoi Biden. Karikaturat e Charlie Hebdo janë më nxitëse, më diskriminuese dhe më raciste se sa cicërimat e Trumpit.

Megjithatë, ngritja e zërit kundër tyre u vlerësua kundërshtim i vlerave perëndimore, ndërkaq mbyllja e llogarive të Trumpit, u pa si diçka e domosdoshme për evitimin e nxitjes së urrejtjes në shoqëri. Sikur kjo të kërkohej prej rrjeteve sociale dhe mediumeve tjera, në rastin e karikaturave fyese ndaj Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, do të shihej si fund i botës për “vlerat perëndimore” dhe “frutet e Revolucionit Francez dhe Iluminizmit”. Ndërkaq, tash, kur këtë e bënë rrjetet sociale në rastin e presidentit Trump, kjo nuk u pa nga apologjetët “akademikë” të vlerave perëndimore si shkelje e këtyre vlerave.

Sidoqoftë, mbase edhe nuk është jetike për të vërtetën nëse oratorët fanatikë të lirisë së shprehjes do ta konsiderojnë si anti-vlerë vendimin e rrjeteve sociale në rastin e presidentit Trump, Twitteri nuk bëri gjë kur e fyen Pejgamberin, por cicëroi se, megjithatë, liria e fjalës, edhe në Perëndim, ka kufi.